fbpx
Universiteti Haxhi Zeka Përfitues i Grantit të USAID – Bashkëpunimi me Sektorin Privat Për Forcimin e Arsimit të Lartë

Universiteti Haxhi Zeka Përfitues i Grantit të USAID – Bashkëpunimi me Sektorin Privat Për Forcimin e Arsimit të Lartë

Me një financim prej 4 milion dollarësh nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe me zbatues të grantit Universiteti Shtetëror i Iowa-s dhe Qendra për Arsim e Kosovës, universiteti Haxhi Zeka një nga përfituesit e këtij granti, i përfaqësuar nga rektori prof.dr. Armand Krasniqi, nënshkroi sot marrëveshjen për implementim të këtij projekti. Nënshkrimi i marrëveshjes ishte një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për UHZ-në, drejt përmbushjes së objektivave të tij strategjike. Statistikat e UHZ-së tregojnë se ky është granti më i lartë i fituar ndonjëherë në këtë institucion. Projekti zgjat 5 vite dhe gjatë këtyre viteve do të punohet për nxitjen e mundësive profesionale dhe suksesit të studentëve. Përfitues të këtij granti, përveç universitetit Haxhi Zeka janë edhe Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Prizrenit. 

Projekti për UHZ-në ka qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet fakultetit të agrobiznesit, industrisë, kompanive të teknologjisë informative, duke vendosur theksin në kërkime të përbashkëta si dhe përgatitjen sa më të mirë të studentëve të këtij institucioni për tregun e punës dhe për të qenë liderë të së ardhmes.  Aktivitetet e tij kanë qëllim të përafrojnë programet e studimit me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut në Kosovë e më gjerë. Kjo do të arrihet nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit me sektorin e agrobiznesit, kërkimeve të aplikuara, angazhimit të drejtëpërdrejtë të industrisë, zhvillimit të kurrikulës dhe përmirësimit të shërbimeve studentore. Përvec këtyre, projekti synon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s. 

Partneri zbatues i këtij projekti, Universiteti Shtetëror i Iowa-s, është zotuar se do të përkrahë me ekpertizën e tij tre universitetet publike në Kosovë duke sjellë njohuritë dhe përvojat më të mira nga ky institucion e në këtë mënyrë synohet rritja e potencialit për një brez të ri studentësh të cilët do të jenë të pajisur me shkathtësitë e duhura për tregun e punës dhe profesorë të mirë përgatitur për sfidat e mësimdhënies në shekullin e XXI. Nga ana tjetër, UHZ u zotua se do të përmbushë të gjitha detyrimet drejt realizimit sa më të suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në projekt. 

Universiteti Haxhi Zeka falenderon USAID-in, Universitetin Shtetëror të Iowa-s dhe Qendrën për Arsim të Kosovës për punën e bërë duke qenë të bindur se ky angazhim do të jetë në të mirë të të rinjve të këtij institucioni, industrisë dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës. Gjithashtu, UHZ uron gjithë personelin dhe studentët e fakultetit të agrobiznesit, me besimin e plotë se ky projekt do të hapë rrugë të reja drejt përmirësimit dhe zhvillimit të mëtejmë të këtij institucioni.

2 thoughts on “Universiteti Haxhi Zeka Përfitues i Grantit të USAID – Bashkëpunimi me Sektorin Privat Për Forcimin e Arsimit të Lartë

Comments are closed.

Translate »