fbpx
Takim me Përfaqësues nga Universiteti i IOWA-s dhe USAID-i

Takim me Përfaqësues nga Universiteti i IOWA-s dhe USAID-i

Menaxhmenti i Universitetin Haxhi Zeka në Pejë (UHZ) mbajti takim me përfaqësues nga Universiteti Shtetëror i IOWA-as dhe USAID-i. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i detajuar i hapave të mëtutjeshëm pas nënshkrimit të marrëveshjes për implementimin e projektit: Bashkëpunimi me Sektorin Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë.

Takimin e hapi rektori i UHZ-së, prof.dr Armand Krasniqi, i cili prezantoi shkurtimisht historikun UHZ-së, për të vazhduar më pas me punën që është duke u realizuar aktualisht në këtë institucion. Ndër të tjera, rektori e përmendi faktin se Universiteti Haxhi Zeka ka marrë akreditim 5 vjeçar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA). Ky është vlerësimi më i lartë që një universitet publik mund të marrë nga AKA-ja.

Rektori prezantoi angazhimin e universitetit në krijimin e kurrikulës së integruar të studimeve. Kjo po realizohet me qëllim të rritjes së mobilitetit të studentëve dhe të stafit të UHZ-së. Gjithashtu, në këtë takim u theksua se studentët, me ofertat programore të fakulteteve do të vetë dizajnojnë diplomën e tyre duke rritur kështu shkathtësitë e nevojshme të kërkuara për tregun e punës.

Ndër të tjera, rektori Krasniqi tha se nënshkrimi i marrëveshjes së lartëpërmendur është një ndër gjërat më e mirë që mund të ndodhte në UHZ. Kjo marrëveshje siguron  lidhje të fuqishme Universitet-Qeveri-Biznes. Po ashtu, rektori potencoi se ekspertiza, angazhimi, përkushtimi, fuqia dhe tradita e Universitetit të IOWA-s janë më se të nevojshme për UHZ-në dhe do të ndihmojnë në realizimin e objektivave strategjike të UHZ-së. Të gjitha këto do të kenë ndikim në përmirësim dhe rritje të vazhdueshme të cilësisë së punës në universitetit, në mënyrë të veçantë për studentët e këtij institucioni.

Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Universiteti i IOWA-s shprehën nderimet e tyre për nënshkrimin marrëveshjes për projektin në fjalë. Gjithashtu, ata treguan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të ngushtë duke vlerësuar lartë punën që po realizon UHZ.

Translate »