fbpx
Mbahet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Arritjet e Reja në Shkencë, Teknologji dhe Arte”

Mbahet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Arritjet e Reja në Shkencë, Teknologji dhe Arte”

Në ambientet e Universitetit “Haxhi Zeka” u mbajt dita e parë e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare: “Arritjet e Reja në Shkencë, Teknologji dhe Arte”. Kjo konferencë është organizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë”, i mbështetur nga Erasmus+, nga fondet e Bashkimit Evropian. Konferenca është bashkorganizuar me disa universitete dhe institucione të arsimit të lartë vendëse dhe ndërkombëtare.
Konferencën e hapi rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, prof. dr. Armand Krasniqi. Në fjalën e tij prof. Krasniqi, pasi i përshëndeti të pranishmit, nënvizoi se menaxhmenti i universitetit gjithmonë do t’i mbështesë aktivitetet që e promovojnë shkencën dhe kërkimet shkencore.
Udhëheqësja e konferencës, prof. Alma Shehu tha se kjo është një mundësi unike për shkencëtarët nga vende të ndryshme të Europës që t’i paraqesin rezultatet e kërkimeve të fundit shkencore, të ndajnë përvojën e tyre dhe t’i diskutojnë me kolegët kërkimet e fundit shkencore në fusha të ndryshme, nga edukimi dhe trajnimi deri te shkencat mjekësore dhe shëndetësore.
Më pas ajo përmendi se Komiteti Organizativ ishte i befasuar me numrin e madh të studiuesve pjesëmarrës në edicionin e parë të konferencës.
Koordinatori i projektit “Research Cult”., z. Bujar Gallopeni, nënvizoi rëndësinë e konferencës dhe faktin që ky aktivitet do të zhvillohet nën ombrellën e projektit “Research Cult”.
Ai theksoi se shpreson që konferenca e sivjetshme të pasohet me të tjera konferenca, të organizuara nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
“Vitin e ardhshëm, një universitet tjetër i Kosovës do të jetë nikoqir i konferencës”, tha z. Gallopeni.
Folës kryesorë në këtë konferencë ishin dr. Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë, prof. Curtis R. Youngs, Mr. Krzystof Szymanski, nga Shkolla e Ekonomisë në Varshavë, si dhe znj. Mihone Kerolli-Mustafa nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë, anëtare e Këshiliit Kombëtar të Kërkimeve.
Konferenca u organizua në tetë sesione shkencore. Në ditën e dytë pjesëmarrësit do të bëjnë një shëti në Bjeshkët e Rugovës.

Translate »