fbpx
Universiteti “Haxhi Zeka” pjesë e ditëve të bashkëpunimit ndërkombëtar

Universiteti “Haxhi Zeka” pjesë e ditëve të bashkëpunimit ndërkombëtar

Në kuadër të ditëve të bashkëpunimit ndërkombëtar, me ftesë të Universitetit të Bochum-it në Gjermani, po qëndrojnë për vizitë në këtë Universitet, rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Prof. asc. Dr. Naser Mrasori, kryetari i Këshillit Drejtues, Prof. ass. Dr. Haxhi Gashi dhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof.asc. Dr. Linda Grapci – Kotori.
Menaxhmenti i Universiteti “Haxhi Zeka” u prit nga përfaqësuesit e Universitetit të Bochum-it të Gjermanisë, dhe pas takimit me Rektorin, prorektorët dhe koordinatorët e programeve të studimeve master të këtij universiteti, u diskutua për programe të përbashkëta studimi dhe bashkëpunimi.
Me këtë rast Rektori Mrasori, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Universitetit të Bochum-it dhe Universitetit “Haxhi Zeka”, që parasheh mundësi të shumta bashkëpunimi në fushën e shkëmbimit të stafit dhe studentëve në drejtime të caktuara..
Më pas, Presidenti i Universitetit të Bochum-it, Prof. Dr. Martin Sternberg tha se ndjehet i lumtur dhe i nderuar që ka nënshkruar bashkëpunimin e parë me një universitet nga Kosova, dhe u shpreh i gatshëm që ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ndihmojnë Universitetin “Haxhi Zeka” në çdo fushë.
Gjatë vizitës në këtë universitet, menaxhmenti i UHZ-së ka prezantuar programet e studimit dhe mundësitë e bashkëpunimit me universitete të ndryshme pjesëmarrëse, me ç’rast është biseduar edhe për mundësinë e mbajtjes se një Universiteti Veror në Pejë.
Në takimet tradicionale të bashkëpunimit ndërkombëtar po marrin pjesë edhe universitete nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të krijimit të bashkëpunimit në mes të universiteteve, të cilat janë të gatshme për bashkëpunim në projekte të ndryshme të përbashkëta dhe shkëmbim të përvojave akademike.
Menaxhmenti gjithashtu ka zhvilluar edhe disa takime të tjera me rektorët, prorektorët dhe anëtarë të këshillit drejtues të shumë universiteteve pjesëmarrëse, me të cilat kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Delegacioni i UHZ-se është takuar edhe me përfaqësues të odes ekonomike të Nordrhein-Westfalen -it, me përfaqësues të kompanive prestigjioze gjermane si Siemens, BROMAH etj.

Translate »