fbpx
Universiteti “Haxhi Zeka” feston 10 vjetorin e themelimit

Universiteti “Haxhi Zeka” feston 10 vjetorin e themelimit

Sot në universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë u organizua ceremonia e 10-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të nivelit qendror dhe atij lokal. Të pranishëm ishin përfaqësues të Kuvendit të Kosovë Z.Reshat Nurboja, zv.kryeministrja Znj. Emilia Rexhepi, zv. ministrja e arsimit Znj. Edona Maloku Berdyna, përfaqësues të familjes së patriotit Haxhi Zeka, përfaqësues të Këshillit të Përkohshëm të UHZ-së, anëtarët e  Këshillit Drejtues aktual, profesorë të pensionuar të UHZ-së, përfaqësues të komunës së Pejës, rektorë të universiteteve publike në Kosovë, përfaqësues fetarë, të OJQ-ve, stafi akademik dhe administrativ i UHZ-së dhe studentë.

Në këtë ceremoni rektori i universitetit “Haxhi Zeka” Z. Armand Krasniqi ndau mirënjohje për anëtarët e Këshillit të Përkohshëm Drejtues, për profesorët e pensionuar dhe për personalitete të tjera të cilët kontribuuan në themelimin e universitetit “Haxhi Zeka”.

Për të pranishmit ishin përgatitur pika muzikore të interpretuara nga profesorë dhe studentë të Fakultetit të Arteve.

Fjalimi i rektorit Prof. Dr. Armand Krasniqi me rastin e 10-të vjetorit të themelimit të universitetit.

Të nderuar autoritete, staf akademik dhe administrativ, të dashur studentë!

Është kënaqësi, nder dhe detyrim të jem përpara jush sot në rastin e 10 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka”. Kjo dekadë ka qenë e mbushur me sfida, me përpjekje për të arritur më të mirën, por dhe dështime po ashtu, por asnjëherë ne, pjesë e rritjes 10 vjeçare të këtij institucioni, nuk jemi dorëzuar e as nuk do të dorëzohemi për të vetmen arsye: progresin e rinisë dhe vendit tonë. Një rini e cila meriton arsim cilësor, rini e cila dëshiron të ecë në hapat e bashkëmoshatarëve evropianë, e rinisë e cila po na bën krenarë anembanë botës. E, pra, kësaj rinie ja kemi borxh çdo sakrificë e përkushtim.

Para 10 viteve, kur u vendos hapja e institucionit tonë, dhe fati ishte të jem udhëheqës i këtij institucioni, nuk mungonin as dilemat për mirëfunksionim të tij, por ne kishim bindjen se qytetarët e Pejës, Dukagjinit, Kosovës e më gjerë e meritonin një vendim të tillë. Dhe sot, pas 10 vitesh përsëris atë që kam thënë në themelim të tij: le të bëjmë së bashku një institucion vlerash dhe të ndihmojmë në zhvillimin e rajonit tonë por edhe më gjerë, duke ofruar forcë punëtore të kualifikuar që i përgjigjen tregut të punës. Ky ende mbetet objektivi ynë themelor.

Të dashur pjesëmarrës,

Synimi ynë është të bëhemi jo vetëm një pjesë integrale dhe e barabartë e strukturës kombëtare të njohurive, ekspertizës dhe kompetencave të bazuara në standardet evropiane, të vlefshme brenda Zonës së Përbashkët Evropiane të Arsimit, por një universitet referent në vend, rajon e me gjerë. Arritjet e deritanishme në këtë fushë janë përpjekje serioze për pozicionim ndërkombëtar. Andaj, kjo na jep të drejtën ta shohim me optimizëm këtë detyrë. Realizimi i kësaj detyre do t’u sigurojë studentëve dhe stafit tonë mësimdhënës përvoja të rëndësishme ndërkombëtare dhe njohuri për specifikat dhe ndërvarësitë e ndryshme që ekzistojnë në fushat e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit modern.

Në veçanti, ne e shohim të ardhmen e Universitetit “Haxhi Zeka” në fushën e kërkimit shkencor dhe shpresojmë që fakultetet tona të bëhen një mbështetje reale për zhvillimin e shkencës brenda universitetit nëpërmjet bashkëpunimit me institucione të tjera të specializuara kërkimore-shkencore. Besojmë se në vitet e ardhshme vizioni real është transformimi institucional në një qendër ekselence në fushat shkencore në të cilat universiteti ka fituar tashmë një reputacion dhe afirmim ndërkombëtar.

Me pak fjalë, të gjithë studentët tanë të dikurshëm, aktualë dhe të ardhshëm duhet të dinë se universiteti ynë është i ri, por ne së bashku, gradualisht do e modernizojmë duke e shndërruar në një institucion fleksibël në gjetjen e mënyrave moderne për të përmbushur kërkesat e kohës dhe të përparimit të përshpejtuar në arsim dhe shkencë. Ne realitet, me këto synime ky universitet u themelua dhjetë vite me parë. Pikërisht për këtë fakt, sot në Universitetin “Haxhi Zeka” nuk është joreale të flitet për arritjen e arsimit dhe kërkimit shkencor me cilësi të lartë. Ndaj studentët tanë të rinj duhet ta dinë se ky universitet ka dhe do të ketë kushtet më moderne dhe komode të studimit: pedagogë cilësorë, asistentë, shërbim studentor cilësor, salla mësimore me pajisjet e nevojshme teknologjike, amfiteatër, studio, salla koncertale, instrumente muzikore, bibliotekë, librari, etj,.

Jemi të ndërgjegjshëm se sfidat që na presin përpara janë të mëdha dhe synimi i institucionit tonë është t’u bëjmë ballë atyre. Por pa mbështetjen, vullnetin, dhe përkushtimin tuaj nuk mund t’i arrijmë rezultatet e dëshiruara. Universiteti ynë është i ri por me mundësi të mëdha, e vetëm nëse nuk mungon vullneti dhe dëshira jonë atëherë sukseset nuk do të mungojnë. Prandaj, unë përfitoj sot nga kjo ceremoni t’ju ftoj të punojmë të gjithë së bashku për ta çuar këtë institucion përpara, të punojmë për të krijuar një institucion akademik i cili ofron programe të cilat i fuqizojnë të rinjtë dhe kombin tonë. Le të ndërtojmë së bashku një institucion i cili përgatit studentë të cilët me sukses do t’u përgjigjen sfidave të një bote gjithnjë e në lëvizje.

Me këtë rast dua që edhe një herë sinqerisht të falënderojë të gjithë ata që në çfarëdo forme e ndihmuan themelimin dhe jetësimin e Universitetit “Haxhi Zeka”.

Urime të gjithëve 10 vjetori i universitetit dhe na priftë e mbara!

Telegram urimi nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca

Translate »