Për herë të parë në Kosovë Universitetit “Kadri Zeka” Gjilan, Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren dhe Universitetit “Haxhi Zeka” Pejë, kanë nënshkruar rregulloren e përbashkët për programin Master- Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike.
Kjo rregullore e nënshkruar mes tre rektorëve, Bajram Kosumi Rektor i Universitetit “Kadri Zeka”, Ramë Vataj Rektor i Universitetit ”Ukshin Hoti” si dhe Fadil Millaku Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”, përcakton kriteret unike të regjistrimit të studentëve në ciklin e studimeve të nivelit master (program i përbashkët i universiteteve partnere: Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike), përgjegjësitë e partnerëve, kohëzgjatjen, organizimin dhe zhvillimin e studimeve, si dhe mënyrën e përfundimit të tyre.
Rektorët e tre Universiteteve që nënshkruan rregulloren e përbashkët për programin Master Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, e kanë vlerësuar mjaft të rëndësishëm këtë bashkëpunim duke përmendur objektivat kryesore të programit, rritjen e profilit institucional, zgjerimin e ofertave arsimore, nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe personelit, avancimin e ekspertizës në fushën e arsimit, sigurimit të cilësisë, dhe internacionalizimin, rritjen e punësimit të diplomuarve, etj.
Me nënshkrimin e kësaj rregullore, Studimet master në programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, Universitetet partnere synojnë arsimimin profesional dhe kualifikimin shkencor të studentëve nëpërmjet integrimit të procesit mësimor dhe kërkimeve shkencore.
Fushëveprimi i kësaj rregullore shtrin efektet e saj në fakultetet juridike të universiteteve partnere, studentëve dhe personelit të tyre.