fbpx
Telegram urimi per 52 vjetorin e themelimit të UP- së

Telegram urimi per 52 vjetorin e themelimit të UP- së

I nderuar rektor i UP-së,

Në këtë ditë, 52 vjet më parë, filloi punën njëri ndër institucionet më të rëndësishme akademike në historinë e vendit tonë, Universiteti i Prishtinës. Ai u themelua falë punës kolosale të personaliteteve akademike, të shkolluar jashtë Kosovës, siç ishte doktori më i ri i shkencave në ish-Jugosllavinë e asaj kohe, prof.dr. Dervish Rozhaja, si dhe akademikët e profesorët e tjerë, siç janë: akademik Ali Hadri, prof.dr. Mark Krasniqi dhe shumë emra eminentë të dijes, të cilët e themeluan këtë institucion dhe e shkruan një pjesë të historisë së Kosovës.

Hapja e Universitetit të Prishtinës e zgjoi ndjenjën nacionale në Kosovë dhe ishte arritja më e madhe e popullit të Kosovës deri në shpalljen e Pavarësisë. Nga Universiteti i Prishtinës më vonë u krijua baza edhe për themelimin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, e cila ndikoi në vetëdijesimin e popullit shqiptar dhe krijimin e kulturës së barabarësisë me popujt e tjerë të botës.

Kosova ka përfituar shumë të mira nga themelimi i universitetit, të cilat i gëzon edhe sot e kësaj dite, falë këtij institucioni të shenjtë. Prandaj, dita e themelimit të Universitetit të Prishtinës shënon një nga ditët më të ndritshme të historisë së Republikës së Kosovës.

Urime për këtë festë të madhe për vendin tonë, ditën e themelimit të Universitetit të Prishtinës!

Prof.dr. Armand Krasniqi

Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”, Pejë


Translate »