Telegram ngushëllimi për vdekjen e Prof.Asoc.Dr. Bakir Kelmendi

Telegram ngushëllimi për vdekjen e Prof.Asoc.Dr. Bakir Kelmendi

Lajmi për vdekjen e Prof.Asoc.Dr. Bakir Kelmendi ishte një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë dhe të Fakultetit të Agrobiznesit në veçanti.

Prof. Asoc. Dr. Bakir Kelmendi ishte prodekan dhe profesor i Fakultetit të Agrobiznesit.

Prof. Bakir Kelmendi u lind në vitin 1961 në Pejë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Fakultetin e Bujqësisë e kreu në vitin 1986 në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1999 filloi studimet pos-diplomike, Master i shkencës – Agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë – Tiranë, të cilat i përfundoi në vitin 2003. Më pas, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, pranë Fakultetit të Bujqësisë, përfundoi doktoratën në vitin 2007.

Në vitin 1988 u punësua në KBI- OBPB, Kooperimi në Pejë.

Nga viti 1999 deri në vitin 2015 punoi në IBK – Instituti Bujqësor i Kosovës, si shef i laboratorit të farërave – specialist i bimëve njëvjeçare – drithërave, kurse në vitin 2007punoi si Profesor i angazhuar pranë Universitetit të Vizionit Evropian. Në vitin 2012 u zgjodh Profesor Asistent(Prof.Ass.Dr.) pranë Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, përkatësisht në Fakultetin e Agrobiznesit. 

Nga 1 tetori i vitit 2012, deri me 15 tetor të vitit 2015 ushtroi detyrën e Dekanit në Fakultetin e Agrobiznesit, kurse nga viti2015 e tutje ishte Prodekan pranë Fakultetit të Agrobiznesit.

Me 1 tetor 2016 mori thirrjen Profesor i Asocuar (Prof.Asoc.Dr.) pranë Universitetit  “Haxhi Zeka” në Pejë – Fakulteti i Agrobiznesit.

Përveç mësimdhënies dhe hulumtimeve shkencore, Prof.Asoc.Dr. Bakir Kelmendi ka ushtruar edhe funksione menaxheriale pranë Fakultetit të Agrobiznesit në UHZ. Ai ishte edhe njëri ndër themeluesit e Fakultetit të Agrobiznesit, ku ka qenë pjesë e shumë komisioneve për hartimin e rregulloreve të UHZ-së, Planit Strategjik 2017-2022, dhe hartimit të dokumenteve të tjera universitare. Ishte pjesëmarrës aktiv ne projekte të ndryshme të programit Erasmus+ “BUGI dhe STEPS”. Ka marrë pjesë në shumë kongrese, konferenca e simpoziume dhe ka publikuar një sërë punimesh shkencore si autor dhe koautor brenda dhe jashtë vendit. Ai ishte edhe autor i librit “Bazat e prodhimit bimor”.

Të gjithë ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojmë si një shembull i shkëlqyer i një profesori me intergritet të lartëakademik dhe hulumtues, dhe mbi të gjitha me kulturë të lartëdhe i afërt me të gjithë.

Ne, menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, shoqërisë dhe studentëve të Prof.Asoc.Dr. Bakir Kelmendi.

Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babanë dhe familjarin tuaj, por edhe i gjithë Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, përkatësisht Fakulteti i Agrobiznesit, humbi një profesor të çmuar.

I nderuar Prof. Bakir, u prehsh në paqe!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof.Asoc.Dr. Bakir Kelmendi!

Prof.Asoc.Dr. Nexhdet Shala

Dekan i Fakultetit të Agrobiznesit

Please follow and like us: