Rektori i Universitetit Haxhi Zeka në Pejë (UHZ), Prof. dr. Armand Krasniqi, së bashku me përfaqësues të UHZ-së, pritën në takim ekspertin për digjitalizim z. Blerim Gjeladini.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me digjitalizimin e proceseve të punës së UHZ-së. Theksi u vu veçanërisht në fushën e turizmit dhe hotelierisë. Fillimisht, Rektori Krasniqi u shpreh se prezenca e z. Gjeladini në takim është e një rëndësie të veçantë për institucionin.
Rektori e njoftoi z. Gjeladinin për orientimin e UHZ-së. U theksua se në strategjinë pesë (5) vjeçare veçse është përcaktuar rruga të cilën do ta ndjek UHZ. Këtu ai theksoi se UHZ do të dallohet nga të tjerët përmes fushës së turizmit dhe agrobiznesit, duke u mbështetur padyshim edhe nga fushat tjera.
Përveç tjerash, diskutimi u fokusua në aspektin e digjitalizimit të hoteleve, reklamimin dhe promovimin e destinacioneve turistike dhe vlerave turistike. Eksperti në fjalë, ndau përvojat e tij me pjesëmarrësit në takim. Po ashtu, ai dha këshillat e tij për atë që UHZ mund të bëjë në sferën e digjitalizimit.
Z. Gjeladini e vlerësoi lartë gatishmërinë e UHZ-së për t’u përshtatur me ndryshimet teknologjike të kohës së sotme. Lidhur me këtë, ai theksoi se vet fokusi dhe synimi i UHZ-së për të qenë fleksibil në një treg kaq dinamik të kohës së sotme paraqet sukses në vetvete për institucionin.