Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, prof. dr. Armand Krasniqi me bashkëpunëtorë nga menaxhmenti i lartë i UHZ-së pritën në takim zyrtar përfaqësues të Universitetit “Goce Delçev”, Maqedoni e Veriut.
Në këtë takim është diskutuar mundësia për bashkëpunim lidhur me projektet të cilat i ndihmojnë rrugëtimit të UHZ-së në aspektin e sigurimit të cilësisë, si dhe për zhvillimin e standardeve të reja të cilat kanë për qëllim aplikimin e përbashkët në projekte ndërkombëtare.
Rektori Krasniqi, potencoi që Universiteti “Haxhi Zeka” synon përfshirjen në projekte evropiane të arsimit të lartë për zhvillimin akademik dhe shkencor, mobilitetin e mësimdhënësve dhe studentëve, si dhe këtë takim e cilësoi një mundësi të mirë për të ndarë opinionet mbi projektet Erasmus plus. Njëkohësisht, shprehu mirënjohjen duke shpresuar që ky bashkëpunim të zgjerohet më tepër në të ardhmen.