fbpx
Në UHZ u mbajt Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike

Në UHZ u mbajt Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike

Sot, më 13 qershor 2022, në Universitetin “Haxhi Zeka” është mbajtur takimi i radhës i konferencës së rektorëve të universiteteve publike të Kosovës. Në takim u diskutuan ecuritë e përfundimit të semestrit veror në të gjitha universitetet pjesëmarrëse të konferencës. Pikë tjetër diskutimi ishte edhe përgatitja për pranimin e studentëve të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2022/2023.

Konferenca u kryesua nga rektori i Universitetit “Isa Boletini”, prof.dr. Alush Musaj. Në mes tjerash ai falënderoi rektorin e UHZ-së, prof.dr. Armand Krasniqin për organizimin e konferencës në cilësinë e universitetit mikpritës.

Pjesëmarrësit u pajtuan se edhe këtë vit si sfidë e përbashkët e arsimit të lartë në Kosovë është trendi negativ i numrit të studentëve të interesuar për regjistrim. Lidhur me këtë, rektori Krasniqi theksoi rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve për studentë në shumë dimensione me qëllim joshjen e studentëve të rinj. Universiteti “Haxhi Zeka”, në kuadër të strategjisë së saj me fokus perspektivën e studentit ka planifikuar dhe angazhohet në aktivitete si: profilizimi i universitetit, harmonizimi i legjislacionit të brendshëm, përpilimi i programeve të reja, ngritja e cilësisë në mësimdhënie, ngritja e kapaciteteve për kërkime shkencore, përmirësimi i infrastrukturës, digjitalizimi i shërbimeve, bashkëpunimi i ngushtë me bizneset dhe shoqërinë civile. etj. Rektori informoi gjithashtu të pranishmit se UHZ ka organizuar për herë të parë universitetin veror me karakter ndërkombëtar, i cili fillon javën e ardhshme dhe zgjat dy javë.

Translate »