Zyra për Zhvillimin e Karrierës e Universitetit Haxhi Zeka – Pejë në bashkëpunim me Shoqatën e të diplomuarve ALUMNI – UNHZ kanë realizuar studimin rezultat i të cilit ësgtë raporti i titulluar “Analizë e Punësueshmërisë së të Diplomuarve të UHZ-së”. Gjatë muajve dhjetor 2022 dhe deri në mes të janarit 2023 janë organizuar takime dhe diksutime dhe planifikime, dhe nga datat 23 janar deri me 21 shkurt 2023 është kryer punë e vazhdueshme që sot ta kemi një raport të tillë, i cili për here të parë realizohet në një universitet publik në Kosovë .
Ekipi punues i përbërë nga: PhD (c) Abedin Selimaj – Drejtor i Zyrës për Zhvillimin e Karrierës, BSc. Nora Draga – Drejtoreshë e Shoqatës ALUMNI – UNHZ, MSc. Rozafa Hajdari – E diplomuar në UHZ (ALUMNI – UNHZ), MSc. Njomza Jupa – E diplomuar në UHZ (ALUMNI – UNHZ), BSc. Artur Morina, BSc. Leart Berisha dhe Sihana Mustafa, studentë aktual në UHZ mblodhën të dhëna primare përmes anketimit të një mostre mjaft reprezentative prej 1002 respondentësh.
Të gjeturat nga ky raport tregojnë një profil mjaft pozitiv për Universitetin tonë, për arsye se e kemi vërtetuar se Universiteti “Haxhi Zeka” po e përmbush qëllimin e tij si Institucion i Arsimit të Lartë. Rezultatet tregojnë se 64.5% e të diplomuarve tanë janë të punësuar dhe 2.9% janë të vetëpunësuar. Në anën tjetër, sipas raportimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, niveli i përgjithshëm i punësimit në Kosovë është 31.1%. Nga këta, 62.6% e të punësuarve kanë të përfunduar nivelin e lartë të arsimit. Pra, ekziston një raport i drejtë ndërmjet nivelit të shkollimit dhe nivelit të punësimit, që do të thotë se sa më i lartë niveli i shkollimit aq më i lartë është niveli i punësimit.
Me këtë rast si Drejtor i Zyrës për Zhvillimin e Karrierës në UHZ, i falenderoj dhe u jam mirënjohës për punën, bashkëpunimin dhe angazhimin tri udhëheqëseve të Shoqatës ALUMNI-UNHZ, Norës, Rozafës dhe Njomzës, si dhe studentëve të cilët ishin pjesë e ekipit, Arturit, Sihanës dhe Leartit.
Për detaje dhe informacion shtesë ju lutem lexoni raportin e publikuar në web faqen zyrtare të UHZ-së.