fbpx
Universiteti Haxhi Zeka merr pjesë në forumin INTERUNI 2023 në Poloni

Universiteti Haxhi Zeka merr pjesë në forumin INTERUNI 2023 në Poloni

Në Universitetin WSB, në Dabrowa Gornizca të Polonisë, po zhvillohet forumi për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë “INTERUNI 2023”. Ku në të merr pjesë edhe Universiteti “Haxhi Zeka” (UHZ) me përfaqësuesit: Prof. asoc. dr. Driton Sylqa dhe Mr. sc. Sami Gjuka. Shkëmbimi i përvojave dhe diversiteti kulturor ndërkontinental është interesant dhe me vlerë për të gjithë pjesëmarrësit. Theksa i veçantë nga pjesëmarrësit i jepet sigurimit të cilësisë në mësimdhënie, mësimnxënie dhe shërbime administrative për studentë përmes metodave bashkëkohore dhe intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për studentë dhe pedagogë. Në kohërat globale që po jetojmë, universitetet duhet të rrisin bashkëpunimin me universitete nga rajoni, kontinenti, por edhe në nivel botëror, nëpërmjet projekteve të përbashkëta si mënyra e përshtatshme e përafrimit, shëmbimit të ndërsjellë të shkathtësive dhe arritjes së përsosmërisë akademike, ishte mesazhi kryesor i forumit.

Përfaqësuesit e UHZ-së zhvilluan edhe takime pune me prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Rafał Rębilas dhe Zv. Drejtorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Mr. Sc. Denis Spahija nga Universiteti WSB. Shkëmbimi i ideve dhe përvojave është burimi jetësor i çdo institucioni akademik, dhe Universiteti WSB ka qenë gjithmonë në krye të lehtësimit të shkëmbimeve të tilla. Ata besojnë fuqimisht se diversiteti pasuron mjedisin tonë arsimor, zgjeron perspektivat dhe përgatit studentët të lulëzojnë në një peizazh global gjithnjë në ndryshim dhe shpresojmë që do jetë një fillim i mbarë në bashkëpunim.

UHZ, në planin e saj strategjik, ka sistemuar ndërkombëtarizimin si një çështje me prioritet të lartë. Deri më tani, UHZ ka pasur bashkëpunim me universitete të ndryshme evropiane, përmes të cilave ka përfituar mjaft, si projektet: BUGI, STEPS, QUADIC, ENEMLOS, ResearchCult, ENEMLOS, NAWA, etj.

Megjithatë, përmbushja e plotë e objektivave të UHZ në sferën e ndërkombëtarizimit mbetet e sfiduar nga regjimi i vizave për vendin tonë dhe pamundësia e organizimit të studimeve në gjuhën angleze.

Translate »