fbpx
Takim pune me Drejtoritë për Zhvillim Ekonomik të komunave te rajonit të Dukagjinit dhe Malishevës.

Takim pune me Drejtoritë për Zhvillim Ekonomik të komunave te rajonit të Dukagjinit dhe Malishevës.

Në ambientet e Universitetit “Haxhi Zeka”, rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, prorektorja për çështje studentore dhe kërkime shkencore, Prof. Ass. Dr. Alma Shehu Lokaj, drejtori i Qendrës për Zhvillim të Karrierës (QZHK), z. Abedin Selimaj, dhe këshilltari i rektorit, z. Luan Lulaj, pritën në takim drejtorët për zhvillim ekonomik të Komunës së Pejës, z. Nasret Hajrizin, Malishevës, znj. Qendresa Bytyqi, Junikut z. Jetmir Jasiqi, dhe zyrtarët e drejtorive për zhvillim ekonomik nga komuna e Klinës znj. Qendresa Tanushi, komuna Junikut Vjollca Qestaj, Komuna e Pejës Virtyt Morina, si dhe z. Mehdi Krasniqi, komuna Malishevë.
Ky aktivitet është një nga produktet e Forumit Ekonomik Rajonal – Dukagjini i cili u themelua nga Universiteti “Haxhi Zeka”, në partneritet me komunat e Pejës, Deçanit, Klinës, Istogut, Junikut, Gjakovës dhe Malishevës, si nje platformë e përhershme ku pjesëmarrës nga pushteti qendror dhe pushteti lokal, bizneset, shoqëria civile, ekspertët, stafi akademik dhe studentët, diskutojnë dhe bashkëpunojnë për të identifikuar, analizuar dhe adresuar sfidat dhe mundësitë për rritje ekonomike në nivel lokal, rajonal dhe më gjerë. Nëpërmjet FER-D synohet të përmirësohet koordinimi i ndërveprimit ndërmjet këtyre subjekteve dhe të ndihmojë në krijimin e politikave, strategjive dhe projekteve të përshtatshme për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit. Takim i sotëm dhe organizimi i tij u bë në frymën e bashkëpunimit dhe intensifikimit të aktiviteteve të ardhshme të përbashkëta në kuadër të FER-D.
Prorektorja Shehu Lokaj u prezantoi të pranishmëve risitë e universitetit “Haxhi Zeka”, misionin dhe vizionin e tij për të qenë një universitet ndërmarrës dhe rëndësinë që kanë për universitetin tre komponentët e tij: Mësimdhënia, Shkenca dhe Kontributi në Shoqëri.


Përfaqësuesit e drejtorive për Zhvillim Ekonomik adresuan sfidat dhe mundësitë në fushën e zhvillimit ekonomik, duke përfshirë turizmin, bujqësinë dhe sektorë të tjerë që kanë potencial për rritje të aktivitetit ekonomik. Rektori Krasniqi vlerësoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve lokale dhe universitetit për të arritur objektivat, qoftë ato të komunave dhe ato të universitetit. Gjithashtu, ai theksoi se universiteti “Haxhi Zeka” zotohet për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët dhe ofrimin e ekspertizës akademike dhe të kërkimit shkencor në fusha të ndryshme sic është ekonomia, inovacioni dhe strategjitë zhvillimore.
Propozimi i rektorit gjatë këtij takimi ishte hartimi i një strategjie të përbashkët mes universitetit dhe drejtorive për zhvillim ekonomik me qëllim të identifikimit të mundësive dhe potencialeve të rajonit të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e komunave të rajonit të Dukagjinit dhe Malishevës. Kjo ide u përkrah nga të pranishmit dhe gjatë muajve në vazhdimi do të formohet grupi punues për të filluar me hartimin e kësaj strategjie.
Një cështje tjetër e trajtuar në këtë takim ishte dhe rritja e kapaciteteve të personelit të komunave në shkrim të projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktiviteti do të organizohet në muajin maj me përfaqesues të të gjitha komunave të rajonit të Dukagjinit dhe Malishevës.
Drejtori I QZHK, z. Selimaj prezantoj përpara të pranishmëve organizimin e Panairit të Karrierës dhe Turizimin dhe kërkoj mbështetjen e të gjitha komunave. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt koordinimit dhe bashkëpunimit të mëtejshëm dhe ndërmarrjes së hapa konkretë për avancimin e zhvillimit ekonomik në rajonin e Dukagjinit dhe Malishevës.

Translate »