Pejë, 13 Shkurt 2024, znj Arbërie Nagavci, së bashku me Zëvendësministrin Taulant Kelmendi, realizuan një vizitë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Gjatë vizitës, ata u pritën nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, Këshilli Drejtues dhe një pjesë e stafit akademik dhe administrativ të universitetit.
Ministrja Nagavci falënderoi për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë që vizita e saj e parë në kuadër të turit të universiteteve në Kosovë filloi pikërisht nga Universiteti “Haxhi Zeka”. Kjo vizitë shënon fillimin e një serie vizitash në institucionet e arsimit të lartë në vend, me qëllim të njohjes së afërt me arritjet, sfidat dhe planet e tyre për të ardhmen.
Gjatë takimit, Ministra Nagavci u njoftua me arritjet kryesore të Universitetit “Haxhi Zeka”, duke përfshirë zhvillimet akademike, kërkimore dhe infrastrukturore. Veçanërisht, u bë një vizitë në punimet e reja në Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin e Biznesit, ku Ministrja vlerësoi lart përpjekjet për modernizimin e hapësirave dhe ofrimin e kushteve më të mira për studentët dhe stafin.
Ministrja Nagavci u zotua për mbështetje të vazhdueshme nga Ministria që ajo përfaqëson, duke theksuar rëndësinë e investimeve në arsimin e lartë si një ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Ajo theksoi se mbështetja do të përqendrohet jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës fizike, por edhe në ngritjen e cilësisë akademike dhe kërkimore, si dhe në forcimin e lidhjeve me tregun e punës.
Universiteti “Haxhi Zeka” falënderoi Ministrinë për mbështetjen dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm, me qëllim të arritjes së standardeve më të larta në arsimin e lartë dhe kontributit në zhvillimin e shoqërisë kosovare.