fbpx
AKADEMIA TRANSFORMUESE: THEMELIMI I NJË PROGRAMI KËRKIMOR TË ORIENTUAR NGA INOVACIONET E TREGUT DHE BASHKËPUNIMI ME INDUSTRINË

AKADEMIA TRANSFORMUESE: THEMELIMI I NJË PROGRAMI KËRKIMOR TË ORIENTUAR NGA INOVACIONET E TREGUT DHE BASHKËPUNIMI ME INDUSTRINË

Sot, në Universitetin “Haxhi Zeka” u mbajt dita e parë e punëtorisë “Akademia Transformuese: Themelimi i një Programi Kërkimor të Orientuar nga Inovacionet e Tregut dhe Bashkëpunimi me Industrinë.” Në këtë ngjarje morën pjesë ekspertë të shquar akademikë nga institucionet prestigjioze të arsimit të lartë në Evropë, përfshirë profesor Franklin Bezzina dhe profesor Simon Grima nga Malta, profesor Eleftherios Thalassinos nga Universiteti i Piraeus, Greqi, profesor Kesra Nermend nga Universiteti i Szczecin, Poloni, dhe profesor Bruno Coric dhe Snjezana Pivac nga Universiteti i Splitit, Kroaci.

Takimi u nderua gjithashtu nga prania online e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), z. Naim Gashi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi universitetin për këtë iniciativë të rëndësishme dhe përgatitjen e programit të doktoratës me mbështetjen e profesionistëve të fushave përkatëse nga Evropa. Z. Gashi theksoi rëndësinë e plotësimit të standardeve të AKA-së dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me UHZ-në, duke deklaruar se universiteti ka plotësuar të gjitha kushtet për ndërmarrjen e këtij hapi të rëndësishëm.

Rektori i UHZ-së, prof. dr. Armand Krasniqi, vlerësoi kontributin e çmuar të profesorëve nga Malta, Kroacia, Greqia, Polonia dhe Amerika, duke nënvizuar se bashkëpunimi me ta në hartimin e programit të doktoratës përbën një gur themel të rëndësishëm për institucionin, ndërsa mbështetja e tyre është një vlerë e shtuar. Rektori Krasniqi ndër të tjera theksoi rëndësinë e programit të doktoratës, si një kriter të rëndësishëm për universitetin, por edhe një domosdoshmëri për ndryshimet e pashmangshme në arsimin e lartë dhe në shoqëri. Gjatë punëtorisë u analizuan me kujdes standardet e AKA-së për akreditim të programeve dhe Kodet Erasmus. Ekspertët dhe pjesëmarrësit kontribuan në mënyrë konstruktive për përgatitjen e programit të studimeve të doktoratës.

Pas përfundimit të punëtorisë, pjesëmarrësit vizituan komunën e Deçanit, ku u pritën ngrohtësisht nga kryetari i komunës, z. Bashkim Ramosaj, dhe stafi i tij. Kryetari Ramosaj prezantoi arritjet dhe sukseset e komunës nën udhëheqjen e tij dhe organizoi një program të shkurtër me valle dhe melodi tradicionale për nder të mysafirëve.

Translate »