Sot, më 22 maj 2024, në kuadër të takimit të hapur me qytetarë të kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Z. Armend Berisha, anëtari i senatit nga radhët e studentëve Kreshnik Kabashi, së bashku me Ardi Zenelaj, kryetar të Parlamentit Studentor, dhe kryetarin e Këshillit të Studentëve të Fakultetit Juridik, Leart Husaj, adresuan një kërkesë të rëndësishme. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe studentë të tjerë të Fakultetit Juridik.
Ata kërkuan që konkursi për praktikantë në Gjykatën Themelore në Pejë dhe në degët e saj në Deçan, Klinë dhe Istog të hapet në muajin tetor, dhe jo në maj, siç është praktika aktuale. Kjo kërkesë u mbështet me arsyetimin se shumë studentë diplomojnë në qershor apo shtator dhe hapja e konkursit në tetor do të ishte më e përshtatshme për ta, duke shmangur pritjen prej rreth 10 muajsh që ndodh me hapjen e konkursit në maj.
Kryetari Berisha e përkrahu këtë kërkesë dhe u shpreh se ishte e arsyeshme dhe e nevojshme. Ai premtoi se në gjykatën dhe degët e saj do të hapet konkursi për praktikantë në muajin tetor dhe se do ta adresojë këtë çështje edhe te kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, për të siguruar që edhe kjo gjykatë të bëjë të njëjtën gjë. Për më tepër, Z. Berisha u zotua se këtë çështje do ta ngrejë në asamblenë e kryetarëve të gjykatave në Republikën e Kosovës, me qëllim që kjo praktikë e hapjes së konkurseve për praktikantë në muajin tetor të zbatohet në të gjitha gjykatat themelore në nivel vendi.
Një çështje tjetër e adresuar ishte edhe shqyrtimi i mundësive për pagesën e praktikantëve. Kryetari Berisha njoftoi se kjo kërkesë ishte gjithashtu e arsyeshme dhe e nevojshme. Ai theksoi se ekziston vullneti i Këshillit Gjyqësor dhe se veçse kanë marrë iniciativë në këtë drejtim, por mbetet vetëm sigurimi i mjeteve monetare. Aktualisht, mundësia e vetme për pagesën e praktikantëve është përmes angazhimit në projekte të organizatave të ndryshme joqeveritare që hapin programe të praktikës me pagesë.
Ne, si përfaqësues të studentëve të Universitetit Haxhi Zeka në Pejë, falënderojmë kryetarin për gatishmërinë, përkrahjen dhe mbështetjen që na jep ndaj kërkesave tona!