Përfaqësues të projektit ‘Rritja e Punësimit për të Rinjtë (EYE)’ vizituan UHZ-në
Prorektorja për mësimdhënie çështje studentore dhe kërkime shkencore dhe studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” u takuan sot me përfaqësueset e projektit ‘Rritja e Punësimit për të Rinjtë (EYE), me ç ‘rast konsulentja nga Bullgaria, Znj. Gergana Rakovska, realizoi një takim interaktiv me studentët, lidhur me vendimin dhe zgjedhjen e tyre për studime, punësimin pas diplomimit si dhe praktikat gjatë studimeve dhe takim të ndarë me Prorektoren, Prof.ass. Dr. Sabiha Shala.
Përshtypjet e znj. Gergana Rakovska, pas takimit me studentët ishin mbresëlënëse, që sipas saj kishte pritur më shumë ndikim të prindërve në zgjedhjen e tyre për studimet, por shprehi kënaqshmëri për pjekurinë e studentëve të cilët kanë shfrytëzuar mundësinë e vendimmarrjes për studimet e tyre. Në takimin e radhës me Prorektoren për mësimdhënie, Prof.ass.Dr. Sabiha Shala, përfaqësueset e projektit EYE, ritheksuan lëvdatat për studentët, mirëpo Prorektorja Shala, potencoi se duhet të punohet më shumë në drejtim të fuqizimit të Qendrës së Karrierës dhe fushës së projekteve, gjë që pritet të realizohet në të ardhmen e afërt.
Qëllimi i diskutimit në të dy takimet, ishte hulumtimi i iniciuar nga ky projekt për mundësitë e resurseve për zhvillimin e Sistemit të Rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë, dhe të gjeturat nga tereni do të finalizohen në një studim fizibiliteti.
Objektivë kryesore është orientimi gjithnjë e më tepër i edukimit dhe shkathtësive bazuar në nevojat e tregut të punës, si dhe karakteri ndërkombëtar i Institucioneve të Arsimit të Lartë në tërë botën për krahasim të cilësisë dhe performancës.