Sot, menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ne krye me rektorin Prof. Dr. Fadil Millaku, priti në takim Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë z. Besim Beqaj. Qëllimi i këtij takimi ishte mundësia e hapjes së Qendrës se Inovacionit brenda Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, më konkretisht në Fakultetin e Biznesit, me ç’rast Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, e njoftoi për mundësitë që posedon Universiteti dhe se cilat hapësira janë të gatshme për ti ofruar ministrisë përkatëse për implementimin e kësaj qendre të përbashkët.
Ministri, e falënderoi Menaxhmentin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, për pritjen dhe gatishmërinë e treguar, lidhur me qëllimin e takimit. Ai foli edhe rreth rolit të ministrisë të cilën e udhëheq. Ai tha që edhe pse e themeluar rishtas, kjo ministri ka pasur mjaft suksese. Si ministri ka përkrahur shumë organizata joqeveritare, biznese fillestare, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, etj. Me gjermanët tha se kanë bërë disa marrëveshje për bashkëfinancim.
Në Pejë ai tha se ka ardhur për të parë vendin se ku do të jetë qendra për inovacion dhe ndërmarrësi, hapësirë e cila është siguruar nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë në kuadër të Fakultetit të Biznesit. Ministri tha se është planifikuar buxheti për vitin e ardhshëm për ndërtimin dhe funksionalizimin e kësaj qendre. Ky është një projekt prej të cilit do të përfitojnë të gjithë, studentë, stafin akademik, administrativ, qytetarë etj.
Ministri së bashku me përfaqësuesit e Universitetit vizituan objektin ku do të jetësohet kjo qendër. Atje ai mbajti një ligjëratë për rolin e Qendrës së Inovacionit e cila do të hapet në UHZ, ku interesimi i studenteve ishte mjaft i madh.[Best_Wordpress_Gallery id=”135″ gal_title=”MIN”]