fbpx

Fakulteti Juridik në Pejë ka filluar punë si degë e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin akademik 2010/2011 në bazë të vendimit të organeve menaxhuese të UP.  Punët përgatitore së bashku me menaxhmentin e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit (FSHAB) kanë filluar në qershor të vitit 2010 pas shpalljes së konkursit për pranimin e studentëve në këtë degë. Deri me fillimin e procesit mësimor janë përgatitur sallat e mësimit dhe infrastruktura tjetër përcjellëse. Mësimi ka filluar që të mbahet me: 01 tetor 2010 dhe pjesa akademike është organizuar nga menaxhmenti i këtij institucioni ndërsa pjesa logjistike dhe infrastrukturore nga menaxhmenti i FSHAB – së.

Degës e Fakulteti Juridik në Pejë, sikurse edhe qendrës në Prishtinë strukturat përgjegjëse i janë i janë qasur me seriozitet duke zbatuar standarde tërësisht të njëjta, që kanë qenë të ndërlidhura për një proces intensiv të reformimit të arsimit ligjor, në pajtim me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare të shkollimit të lartë. Gjatë dy viteve janë bërë përpjekje dhe hapa të mëdhenj në drejtim të aplikimit të sistemit të Bolonjës për Arsimin e Lartë dhe në kontinuitet janë bërë përparime serioze në fushën e sigurimit të cilësisë së mësimdhënies, mësim – nxënie dhe vlerësim të njohurive të studimeve  dhe në shume fusha së drejtës dhe arsimimit ligjor në këtë institucion, duke përfshirë ndryshime rrënjësore të plan – programeve mësimore në pajtim me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës si dhe në pajtim me standardet  më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë.

Transformimi i  degës së Fakulteti Juridik nga Universiteti i Prishtinës në njësi akademike – Fakultet Juridik në kuadër të Universitetit  Publik “Haxhi  Zeka”në planin legal është mundësuar nga Vendimi i Këshillit Drejtues i UP – së dhe nga Marrëveshja trepalëshe e Mirëkuptimit.  Ky proces i transformimit legal është përcjellë me një kujdes të veçantë duke  mos krijuar asnjë situatë ose vakum në planin e zbatimit të programit mësimor i cili, edhe me parë e edhe tani, ka për qëllim edukimin dhe profesionalizimin adekuat të gjeneratave të reja të juristëve të Kosovës, duke iu ofruar njohuri, përvoja dhe zhvillim të aftësive analitike, teorike dhe praktike dhe shkathtësive të domosdoshme për ushtrimin e profesionit të juristit në praktikë.

Përmes ndryshimeve të vazhdueshme, mbi bazën e parimeve të potencuara më sipër, Fakulteti Juridik i Universitetit Publik “Haxhi  Zeka”, pa kompromis do të jetë i përkushtuar për sigurimin e cilësisë së lartë të mësimdhënies, mësim – nxënies, vlerësimit të njohurive të studentëve dhe përmirësimin e kushteve brenda kapaciteteve ekzistuese për të ofruar arsimim efektiv. Përmes rishikimit dhe rifreskimit  të programeve  studimore, duke i analizuar ato në fushën e kompetencës dhe mundësisë që në të ardhmen e afërt të vazhdohet me programe të cikleve më të avancuara, Fakulteti Juridik ofron profilizimin e juristëve në drejtime adekuate në shumë disiplina të së drejtës, në pajtim me preferencat e tyre dhe në përputhshmëri me nevojat e tregut kosovar dhe më gjerë. Njëkohësisht, ky institucion përmes bashkëpunimit dhe projekteve të shumta me subjekte të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit, u mundëson studentëve, qasje në një rrjet më të gjerë në institucione akademike dhe profesionale, duke u krijuar kushte për perspektivë vendore dhe ndërkombëtare.

Fakulteti Juridik në periudhën afatshkurtër do të koordinojë me programet e Fakultetit Juridik  të Universitetit të Prishtinës ne veçanti me programet e studimit që do të ofrohen nga Universiteti veror dhe dimëror për të përjetuar diversitetin e programeve akademike dhe ambientin ndërkombëtar të studimit.

Tanimë, kushtet për studime në Fakultetin Juridik të Universitetit Publik “Haxhi  Zeka” në Pejë,  janë optimale dhe ka më shumë mundësi të zgjedhjes si për lëndët mësimore gjatë procesit mësimor, ashtu edhe për aktivitetet tjera hulumtuese dhe arsimore. Mirëpo, duke pasur parasysh kushtet e përgjithshme të arsimimit të lartë në Kosovë, mundësitë e kufizuara për investime përmbajtësore në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme dhe në ngritje të mjaftueshme të personelit akademik, si dhe kërkesat e vazhdueshme për rritje të numrit të studentëve, procesin e reformimit të arsimimit ligjor drejt përmirësimit të cilësisë dhe kualitetit të mësimdhënies, mësim – nxënies dhe vlerësimit të njohurive të studentëve në këtë institucion,  janë proces i vazhdueshëm  drejt jetësimit të misionit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »