fbpx

Atifete Jahjaga – Presidentja e 1-rë Femër në Republikën e Kosovës

Kush është Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga u lind më 20 prill të vitit 1975 në Rashkoc, Gjakovë. Ajo mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Ndërsa në vitin 2000, përfundoi studimet e saj në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Pas përfundimit të studimeve të saj, Jahjaga ndoqi programe pasuniversitare. Në Universitetin Leicester në Angli në Mbretërinë e Bashkuar, u specializua në fushën e Menaxhimit Policor dhe të së Drejtës Penale, në vitin 2006-2007. Ajo gjithashtu ndoqi programin pasuniversitar në Shkencën e Krimit në Universitetin e Virginia-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2007.

Karriera

Karrierën e saj e filloi në Policinë e Kosovës. Shumë shpejt u bë një figurë shumë e respektuar në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës në vitin 2000, Jahjaga ka punuar si zyrtare e lartë e policisë, duke u bërë pjesë e saj për shumë vite. Ajo ka kryer detyra të rëndësishme në nivele të ndryshme. Fillimisht në nivel rajonal dhe më vonë në drejtorinë qendrore, duke u bërë një nga zyrtarët më të rëndësishëm të këtij institucioni.

Duke qenë një juriste profesioniste, karrierën e saj  e nisi  në Policinë e Kosovës si përkthyese. Më vonë avancoi në pozita të tjera në këtë institucion. Në një periudhë të caktuar ajo shërbeu si police në Departamentin e Policisë Kufitare. Me kalimin e kohës, ajo fitoi përvojë të rëndësishme në fushën e rendit dhe ligjit, duke u specializuar në standardet profesionale, menaxhimin e burimeve njerëzore, trajnimin e personelit, administrimin dhe kufizimin e kufijve.

Arritjet

Gjatë karrierës së saj në polici, Jahjaga arriti të bëhej gjeneral majorja më e lartë e policeve femra në Evropën Juglindore. Kjo e bëri atë një shembull për shumë gra në vend.

Në kohën kur ishte gjeneral major, Jahjaga zinte pozitën e zëvendës-drejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Kosovës. Në peirudhën pasuese ajo ushtroi detyrën e drejtorit të përgjithshme të institucionit në fjalë. Përveç kësaj, ajo ka qenë e angazhuar gjithashtu në patrullim dhe në zbatimin e ligjit në nivel rajonal.

Si femër profesioniste në fushën e vet, ajo kushtoi kohë dhe energji në zhvillimin e njësisë së standardeve profesionale në Policinë e Kosovës. Fokusin e vedosi në ngritjen e nivelit të trajnimit dhe kompetencave të personelit të policisë. Po ashtu edhe në administrimin e institucionit. Në përgjithësi, ajo ishte e angazhuar në shumë aspekte të funksionimit të Policisë së Kosovës. Roli saj ishte mjaft i rëndësishëm në zbatimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Përgatitja profesionale

Një nga faktet më të rëndësishme për Atifete Jahjagën është se ajo ka qenë një prej pjesëtarëve më profesionistë të Policisë së Kosovës. Në fakt, ajo është një ndër njerëzit e paktë që kanë kryer programe të trajnimit profesional dhe hulumtues. Trajnime të tilla i ka ndjekur në disa prej institucioneve më të njohura në botë. Këtu përfshihen Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë George C. Marshall në Gjermani. Po ashtu edhe Akademia Kombëtare e FBI-së dhe Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky fakt tregon se Jahjaga nuk ka qenë vetëm një pjesëtare e shquar e Policisë së Kosovës. Ajo gjithashtu ishte edhe një studente e përkushtuar e sigurisë dhe rendit në nivel ndërkombëtar. Këto programe të trajnimit kanë përfshirë njohuri dhe aftësi të ndryshme. Kjo nënkupton se të gjitha kanë kontribuar në formimin e saj si një profesioniste e rëndësishme në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë. Në periudhën e viteve 2011-2016 Znj. Atifete Jahjaga mbajti postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Atifete Jahjaga – Presidentja e 1-rë femër

Presidentja e parë femër e Republikës së Kosovës është Atifete Jahjaga. Ajo është liderja femër më e re në botë e zgjedhur në postin e Presidentes. Po ashtu e para femër në këtë post në historinë moderne të Ballkanit.

Në vitin 2011, ajo u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës dhe mbajti këtë post deri në vitin 2016. Përgjatë kësaj kohe, ajo u bë një figurë politike dhe simbol i shtetit të ri të Kosovës. Jahjaga u njoh për angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe për respektimin e të drejtave të njeriut.  Gjithashtu, ka qenë dhe është e angazhuar kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Si presidente, ajo bëri vizita zyrtare në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë SHBA, Gjermaninë, Francën, Italinë, Turqinë, Japoninë e të tjera. Në kohën që ishte presidente, ajo punoi me një qëllim të madh për të nxitur vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përforcimin e sundimit të ligjit. Veçanërisht, ajo ishte e angazhuar në nxitjen e të drejtave të grave dhe rritjen e tyre në sferën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.

Duke u bërë presidentja e parë grua e vendit, ajo u bë një figurë e rëndësishme në historinë e vendit tonë. Po ashtu, vazhdoi të bëhej një simbol i pushtetit dhe i zërit të grave.

Kush ishin 3 Presidentët e mëhershëm

Tre personalitetet në detyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, para Znj. Jahjaga, ishin:

  1. Ibrahim Rugova, i cili u zgjodh President në marsin e vitit 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2004. Ai vdiç më 21 janar 2006 në Prishtinë.
  2. Fatmir Sejdiu mori detyrën e Presidentit pas Rugovës. U zgjodh me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 10 shkurt 2006, por dha dorëheqje nga ky post më 27 shtator 2010. Pas tij, Jakup Krasniqi ishte ushtues detyre i Presidentit për një kohë të shkurtër. Saktësisht, nga 28 shtatori 2010 deri më 22 shkurt 2011.
  3. Behgjet Pacolli ishte Presidenti me kohën më të shkurtër në detyrë. U zgjodh më 22 shkurt 2011 dhe qëndroi në këtë post vetëm deri më 30 mars 2011.

Presidenti i 4-të i Republikës së Kosovës

Pas Presidentëve të lartë përmendur, Atifete Jahjaga ishte Presidenti i 4-të me radhë i Republikës së Kosovës. Në datën 6 prill të vitit 2011, ajo u bë kandidate e përbashkët për Presidente të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR). Ambasadori i SHBA-ve, Christopher Dell, gjithashtu e mbështeti kandidaturën e saj. Në mbrëmjen e datës 7 prill 2011, pas votimit të parë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u shpall fituese. Kundër kandidate e saj ishte Syzanë Novobërdaliu. Kështu, ajo u bë femra e parë Presidente e Kosovës. Kjo mundësoi tejkalimin e krizës politike në atë kohë në Kosovë. Kriza kishte ardhur si pasojë e zgjedhjes antikushtetuese të Presidentit Pacolli. Kjo situatë ishte vlerësuar si e tillë nga Gjykata Kushtetuese.

Zgjedhja e saj si presidente e Kosovës në vitin 2011 ishte e rëndësishme për vendin tonë. Ajo u pa si një kandidate e aftë dhe e përgatitur për të drejtuar vendin në një kohë të vështirë politike dhe ekonomike. Siç u përmend, ajo ishte e njohur për aktivitetin e saj në policinë e Kosovës.  Aty ishte shndërruar në një figurë të njohur për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo e bënte atë një kandidat tërheqës për komunitetin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe për qytetarët e vendit tonë, të cilët kishin nevojë për një president të fortë dhe të pavarur që do të përfaqësonte interesat e tyre në skenën ndërkombëtare.

Situata në Kosovë para zgjedhjes së saj si presidente

Në kohën kur Jahjaga u zgjodh si presidente, Kosova po përjetonte tensione politike dhe ekonomike të mëdha. Zgjedhja e saj si presidente u pa si një mundësi për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në atë kohë, vendi po  përjetonte disa sfida kryesore politike dhe ekonomike. Një zgjedhje e tillë synonte ndërtimin e një shteti më të fortë dhe më të pavarur. Si presidente e Kosovës, ajo u angazhua vazhdimisht për të luftuar korrupsionin. Ngjashëm, për të ndërtuar institucione më të forta dhe për të promovuar drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Kjo e bëri atë një president të respektuar dhe të dashur nga shumë qytetarë të Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

I tërë ky proces përbënte një moment të rëndësishëm në historinë e vendit. Kjo për arsye se ishte hera e parë që një grua zgjidhej si presidente në Ballkanin Perëndimor. Një gjë e tillë e bënte atë një shembull pozitiv për vajzat dhe gratë në Kosovë dhe në rajon.

Angazhimet aktuale të ish Presidentes

Në mars të vitit 2018, ajo themeloi Fondacionin Jahjaga. Ky paraqet një iniciativë që synon të fuqizoj të rinjtë dhe gratë në Kosovë drejt ndryshimeve sociale.

Fondacioni Jahjaga është Organizatë Joqeveritare (OJQ). Qëllimi i përgjithshëm është të ndihmoj në zhvillimin demokratik të Kosovës dhe të Ballkanit. Përfshirja e shoqërinë dhe mbështetja e grupeve të margjinalizuara merren si kusht fillestar i ndërtimit të paqes në rajon. Fondacioni Jahjaga ka tre çështjet kryesore në fokusin e tij, të cilat janë:

  • Gjithëpërfshirja,
  • Paqja ndëretnike dhe regjionale dhe
  • Siguria.

Gjithëpërfshirja

Ka si qëllim të ndihmoj në fuqizimin e grave dhe të rinjve për të qenë më të përfshirë në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Ky Fondacion vendos në fokus grupet e margjinalizuara. Këtu përfshihen ata që kanë mbijetuar dhunën seksuale në luftë, dhunën në familje, dhunën në baza gjinore, pakicat etnike, personat me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera të nën-reprezentuara në qendër të aktivitetit të tij. Nëpërmes këtij programi, synohet të rritet pjesëmarrja e grupeve të margjinalizuara në procesin vendimmarrës. Kjo siguron fuqizom të tyre në aspektin ekonomik dhe shoqëror dhe i bënë ata agjentë të ndryshimit të vazhdueshëm.

Paqja ndëretnike dhe regjionale

Qëllim është të sfidoj stereotipet e vjetra rreth marrëdhënieve ndëretnike dhe rajonale. Për këtë përdor teknikat e trajtimit të së kaluarës, drejtësisë tranzicionale dhe krijimit të marrëdhënieve të reja. Të gjitha këto bazohen në interesat e ndërsjella. Fondacioni përfshihet në programe që synojnë ruajtjen e kujtesës kolektive dhe trajtimin e së kaluarës. Gjithashtu, promovon drejtësinë dhe paqen, duke inkurajuar pjesëmarrjen e të gjitha palëve.

Siguria

Synon të promovoj paqe të qëndrueshme në Kosovë.  Këtë e mundëson krijimi i mundësisë për përfshirje produktive të të gjitha grupimeve shoqërore. Pra, Fondacioni synon të rikthejë në shoqëri grupet sociale të margjinalizuara. Në këtë drejtim, të promovoj përfshirjen e tyre në mënyrë produktive.

Cilat janë disa angazhime tjera të saj

Në kohën sa ishte Presidente, Jahjaga angazhohej me zell për të shtyrë përfshirjen e grave në sfera të ndryshme. Theksi vihet në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës në mënyrë që të ndërtohet një demokraci të qëndrueshme. Në vitin 2012, ajo organizoi Samitin Ndërkombëtar të Grave: Partneritet për Ndryshim – Fuqizimi i Grave. Në këtë samit morën pjesë 200 liderë nga Kosova, Evropa, Amerika e Veriut, Afrika dhe Lindja e Mesme. Kjo konferencë krijoi një forum për gra nga rajoni për të diskutuar dhe ndërtuar një platformë për fuqizimin e tyre. Forumi shtrihej në të gjithë Ballkanin. Si rezultat, u hartuan Parimet e Prishtinës. Parimet theksojnë të drejtat e grave për pjesëmarrje, përfaqësim politik, burime ekonomike dhe qasje në siguri e drejtësi. Ato u miratuan nga Kuvendi i Kosovës.

Jahjaga është anëtare e Këshillit të Liderëve Botëror të Grave që nga viti 2012. Ajo ka marrë shumë nderime dhe çmime. Këtu përfshihen titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Durham-it në vitin 2013, The Leadership in Public Service Award nga The Clinton Global Initiative në vitin 2014, dhe shkalla e nderit Doctor of Law nga Universiteti i Leicester-it në vitin 2015. Si ish presidente, Jahjaga vazhdon të marrë pjesë në debate dhe konferenca ndërkombëtare. Synimi kryesor i saj çdoherë është mbështetja e fuqizimit të të mbijetuareve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Translate »