Sot, më 14 Prill 2023, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, pas propozimit të grupit të ekspertëve ndërkombëtarë vlerësoi lart përmbushjen e kritereve dhe standardeve të vendosura nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe ka marrë vendim për akreditim institucional 5 vjeçar të Universitetit Haxhi Zeka në Pejë, vlerësimi më i lartë që mund t’u ofrohet institucioneve të arsimit të lartë në vend.
Kjo është një ditë e shënuar për Universitetin Haxhi Zeka në Pejë dhe një arsye më shumë për të qenë të inkurajuar, të motivuar dhe optimist lidhur me ecurinë e dhe realizimin me sukses të të gjitha proceseve në këtë institucion, gjë e cila nuk mund të realizohet pa përkrahjen e të gjithë personelit akademik, administrativ, studentëve dhe partnerëve kombëtarë e ndërkombëtarë.

I gjithë personeli i Universitetit Haxhi Zeka gjatë këtyre dy viteve me përkushtim dhe duke i tejkaluar me besim vështirësitë e hasura ka bërë një punë mjaft sfiduese, por po aq të domosdoshme për t’i kthyer e plotësuar kushtet dhe standardet e vendosura nga Agjencia Kosovare e Akreditimit të lidhura për ligjshmërinë dhe cilësinë si detyrime. Ky ishte proces jo i lehtë, por jetik për të ardhmen e institucionit, ekonomisë, shoqërisë dhe në veçanti studentëve të cilët me kursimet dhe sakrificat e prindërve të tyre i kanë besuar dhe kanë dorëzuar fatin e rrugëve të tyre jetësore tek Universiteti Haxhi Zeka.
Rektori prof. dr Armand Krasniqi falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë dhe ndër të tjera në prenoncim e tij theksoi: “Ka shumë histori që mund të tregohen lidhur me gjendjen e cila deri në këtë moment e përcolli institucionin tonë. Ka shumë fakte dhe shifra rrënqethëse që janë një pasqyrë më shumë se sa bindëse për domosdoshmërinë e kësaj reforme rrënjësore të cilën ne së bashku e kemi nisur dhe do e vazhdojmë. Ne mbetemi të palëkundur në përpjekjet tona për të përmbushur vizionin dhe misionin tonë për të kontribuar në zhvillimin e këtij komuniteti shoqëror në mënyrë që diploma e Universitetit “Haxhi Zeka” sot e në të ardhmen të ju bëj krenar në punë dhe në jetë”.
Nuk duhet të harrojmë kurrë se edukimi është transmetim i civilizimit, e ku më mirë e më sigurt kjo përmbushet se sa në universitete.
Universiteti Haxhi Zeka do të jetë edhe më i përkushtuar në rritjen e cilësisë dhe ky është vetëm një nga hapat pozitivë drejt realizimit të objektivave të tij strategjike.