fbpx
Punimet shkencore të publikuara në platformat SCOPUS & WOS nga personeli akademik i Universitetit “Haxhi Zeka”

Punimet shkencore të publikuara në platformat SCOPUS & WOS nga personeli akademik i Universitetit “Haxhi Zeka”

Personeli akademik i Universitetit “Haxhi Zeka” vazhdimisht tregon përkushtim dhe profesionalizëm në fushën kërkimore, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë akademike dhe shkencore. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, janë publikuar 92 punime shkencore në revista të indeksuara në platformat e njohura ndërkombëtare SCOPUS dhe WOS. Kjo arritje shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e kërkimeve shkencore dhe përforcon reputacionin e universitetit në arenën akademike ndërkombëtare. Këtë e tregoi edhe rritja e pozitës së UHZ në Webometrix për 2024 ku institucioni pati përmirësim prej 1159 vendesh. 

Rritja e publikimeve shkencore gjatë kësaj periudhe nuk është rastësi. Që nga viti 2023, është vërejtur një trend pozitiv dhe progresiv në botimet shkencore të personelit akademik. Ky sukses është i lidhur ngushtë me motivimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga UHZ, me ofrimin e mbështetjes financiare dhe burime të tjera të nevojshme për realizimin e kërkimeve të avancuara.

Përkushtimi institucional për mbështetjen e kërkimeve shkencore reflektohet në përpjekjet për të krijuar një mjedis që stimulon inovacionin dhe kreativitetin. Universiteti “Haxhi Zeka” investon në zhvillimin profesional të personelit të tij akademik, duke u siguruar që ata të kenë qasje në mundësitë më të mira për zhvillimin e karrierës së tyre shkencore dhe akademike. Kjo qasje e integruar kontribuon në arritjen e rezultateve të dukshme dhe të qëndrueshme në fushën e kërkimeve.

Angazhimi i personelit akademik të Universitetit “Haxhi Zeka” në publikimin e punimeve shkencore në platformat prestigjioze si SCOPUS dhe WOS është një dëshmi e qartë e përkushtimit të tyre për ekselencë akademike. Ky sukses jo vetëm që pasqyron cilësinë dhe profesionalizmin e personelit akademik, por edhe fuqizon reputacionin e universitetit në nivel ndërkombëtar, duke kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në Kosovë.

Grafiku 1. Punimet shkencore të publikuara në platformat SCOPUS & WOS

ZYRA PËR KËRKIME SHKENCORE

PROF.ASS.DR. SUADA AJDARPAŠIĆ

KOORDINATOR PËR KËRKIME SHKENCORE

Translate »