ZYRës PËR ÇËSHTJE AKADEMIKE DHE PËRSOSMËRI NË MËSIMDHËNIE
Detyrat dhe Përgjegjësitë
Zyra për Çështje Akademike dhe Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetin “Haxhi Zeka” është përgjegjëse për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve akademike, zhvillimin profesional të stafit dhe monitorimin e cilësisë së mësimdhënies.
Ajo mbështet Senatin e Universitetit, Këshillin Drejtues, njësitë akademike, si dhe grupet punuese në trajtimin e çështjeve akademike dhe përmirësimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe vlerësimit.
Në bashkëpunim me Prorektorin për Mësimdhënie dhe Dekanët, zyra harton plane, raporte, analiza dhe zhvillon aktivitete që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përsosmërisë akademike në UHZ.
Fushëveprimi dhe Funksionet Kryesore
Detyrat dhe funksionet kryesore të Zyrës për Çështje Akademike dhe Përsosmëri në Mësimdhënie përfshijnë:
Organizimin dhe koordinimin e punës së zyrës dhe përgatitjen e kontratave për stafin akademik të rregullt dhe të angazhuar;
Përpilimin e informatave, raporteve dhe analizave statistikore për personelin akademik;
Hartimin dhe publikimin e konkurseve për angazhimin e stafit akademik në bashkëpunim me fakultetet;
Llogaritjen e orëve mbi normë dhe honorareve bazuar në propozimet e njësive akademike;
Përgatitjen e materialeve për mbledhjet e Komisionit të Studimeve, Këshillit Qendror të Doktoratës dhe Senatit të Universitetit;
Identifikimin e nevojave për trajnime profesionale të stafit akademik dhe organizimin e tyre në bashkëpunim me menaxhmentin dhe fakultetet;
Monitorimin e metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit të përdorura nga stafi akademik, duke ofruar mbështetje për përmirësimin e tyre;
Hartimin e planeve individuale të zhvillimit profesional për stafin akademik;
Organizimin e monitorimeve të rregullta dhe ad-hoc për cilësinë e mësimdhënies, veçanërisht gjatë avancimeve akademike;
Përgatitjen e statistikave për nivelin e implementimit të metodave bashkëkohore në mësimdhënie dhe ofrimin e mbështetjes për përmirësimin e tyre.
Struktura dhe Përbërja e Zyrës
Zyra për Çështje Akademike dhe Përsosmëri në Mësimdhënie funksionon nën udhëheqjen e Prorektorit për Mësimdhënie, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, i cili mbikëqyr punën e saj dhe siguron realizimin e objektivave akademike.