Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Universiteti “Haxhi Zeka” hyn në familjen elitare të universiteteve evropiane – pranim zyrtar në European University Association (EUA)

Universiteti “Haxhi Zeka” pranohet në EUA – hap historik drejt konsolidimit evropian të kërkimit shkencor

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar një sukses të rëndësishëm institucional dhe akademik, duke u pranuar në fazën e parë të aplikimit si Anëtar Individual i Asociuar në kuadër të European University Association (EUA), rrjetit më të madh dhe më prestigjioz të universiteteve evropiane.

Ky vendim është marrë me 30 Janar 2026 nga anëtarët e Komitetit të Përhershëm për Anëtarësim të EUA-s, pas një procesi të detajuar vlerësimi të kapaciteteve institucionale dhe akademike të Universitetit “Haxhi Zeka”. Pranimi në këtë fazë përbën një njohje të qartë të progresit të arritur nga UHZ në ndërtimin e standardeve evropiane në mësimdhënie, qeverisje universitare dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Statusi i Anëtarit Individual të Asociuar i mundëson Universitetit “Haxhi Zeka” qasje të plotë në përfitimet, shërbimet, programet dhe aktivitetet e EUA-s, duke e pozicionuar universitetin si pjesë aktive të hapësirës evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Ky hap e rrit ndjeshëm dukshmërinë ndërkombëtare të universitetit dhe hap horizonte të reja për partneritete akademike, projekte kërkimore dhe zhvillim institucional.

Vendimi i Komitetit të Përhershëm për Anëtarësim përfaqëson një motiv shtesë dhe një shtysë strategjike për Universitetin “Haxhi Zeka”, që në të ardhmen të angazhohet edhe më fuqishëm në fushën e kërkimit shkencor, rritjes së prodhimit akademik dhe konsolidimit të kapaciteteve kërkimore. Ky angazhim synon përmbushjen e plotë të kritereve për avancim në anëtarësim të rregullt (full membership) në EUA në fazat e ardhshme.

Pranimi në EUA konfirmon vizionin e Universitetit “Haxhi Zeka” për t’u shndërruar në një universitet modern, konkurrues dhe të integruar në rrjetet elitare akademike evropiane, duke e pozicionuar kërkimin shkencor si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të tij institucional dhe shoqëror.

Shko në krye