Instituti për Shkencë dhe Arte pranë Universitetit “Haxhi Zeka” publikon raportin hulumtues të nivelit strategjik, që ndriçon gjendjen aktuale të sektorit të turizmit në Rajonin e Dukagjinit, si dhe paraqet sfidat kyçe dhe mundësitë për transformimin e këtij sektori në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik rajonal.
Raporti vë në pah se Dukagjini ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, falë trashëgimisë kulturore, pasurive natyrore dhe komunitetit të angazhuar. Megjithatë, për të kaluar nga potenciali në realitet, nevojitet një qasje e koordinuar dhe strategjike, që adreson sfidat e shumta që e ngadalësojnë zhvillimin.
Raporti rekomandon hartimin e një Plani të Përbashkët Veprimi për periudhën 2025–2030, me përfshirjen e të gjitha palëve kyçe: institucione publike, universitetet, sektori privat dhe shoqëria civile.
Pikat kryesore që kërkojnë veprim të menjëhershëm për përmirësimin e industrisë së turizmit janë:
- Investime të qëndrueshme në infrastrukturë, marketing digjital dhe teknologji të reja,
- Zhvillimi i programeve të edukimit profesional dhe certifikimeve të dedikuara për turizëm,
- Fuqizimi i dialogut publik–privat për hartimin e politikave zhvillimore,
- Përmirësimi i përvojës së turistëve përmes profesionalizmit, standardeve të larta dhe orientimit të qartë të ofertës turistike.
Në thelb, raporti bën thirrje për një mobilizim të përbashkët institucional dhe rajonal, ku zhvillimi i turizmit nuk shihet vetëm si një mundësi ekonomike, por si një strategji afatgjate për rigjallërimin e Dukagjinit.
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të “Programit të mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese për universitetet publike të Kosovës”, i financuar nga MASHTI nëpërmjet projektit HEI’25, me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) dhe zbatimin nga:
- Qendra për Arsimin e Kosovës (KEC)
- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)
Raporti i plotë është i disponueshëm në faqen zyrtare të Universitetit “Haxhi Zeka” – www.unhz.eu – dhe është një burim i vlefshëm për vendimmarrësit, operatorët turistikë, studiuesit dhe të gjithë ata që synojnë ta shndërrojnë Dukagjinin në një destinacion turistik të standardeve evropiane.