Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë mirëpriti sot një delegacion nga Universiteti IOWA, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e ideve që lidhen me zhvillimet në arsim, teknologji dhe tregun e punës.
Në takim morën pjesë Dr. Cassie Barnhardt, Dr. Lon Moeller dhe Znj. Elmaze Gashi nga University of IOWA, të cilët u priten nga Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi dhe stafi i tij. Biseda u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku të dyja palët ndanë përvojat, idetë dhe vizionin për të ardhmen.
Pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte roli i inteligjencës artificiale në analizimin e tregut të punës dhe sektorëve të biznesit vendor. U theksua se këto mjete mund të shërbejnë si bazë për hapjen e degëve të reja studimore, në përputhje me kërkesat reale të tregut, si dhe për orientimin më të mirë të studentëve të rinj drejt profesioneve të së ardhmes.
Rektori Krasiqi gjatë takimit prezantoi disa nga arritjet kryesore të Universitetit “Haxhi Zeka” gjatë viteve të fundit, përfshirë ngritjen e kapaciteteve akademike, përmirësimin e infrastrukturës, investimet në projekte zhvillimore dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare – si dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për modernizimin dhe rritjen e cilësisë në arsim.
Në përmbyllje të takimit, delegacioni i Universitetit IOWA shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me UHZ-në Pejë në projekte konkrete dhe afatgjata, veçanërisht në fushat që ndërlidhen me zhvillimin teknologjik, inteligjencën artificiale dhe analizën e tregut të punës. U theksua rëndësia e ndërtimit të partneriteteve që jo vetëm forcojnë kapacitetet akademike, por edhe krijojnë mundësi të reja për studentët, institucionet dhe komunitetin në përgjithësi. Takimi u mbyll me mirëkuptim të ndërsjellë dhe vizion të përbashkët për hapa të mëtejshëm drejt një arsimi të orientuar nga e ardhmja dhe nevojat reale të shoqërisë.


