Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Universiteti “Haxhi Zeka” Nis procesin e hartimit të planit strategjik 2026-2030 me Konsultime gjithëpërfshirëse

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Planit Strategjik 2026–2030, duke hapur një cikël konsultativ pesëditor me drejtuesit akademikë, stafin administrativ, studentët, industria, OJQ dhe ekspertë të arsimit të lartë. Ky proces synon të përcaktojë drejtimet strategjike të zhvillimit institucional për periudhën e ardhshme katërvjeçare, përmes definimit të qartë të misionit, vizionit, objektivave strategjikë dhe indikatorëve të matshëm të performancës.

Dita e parë e konsultimeve u fokusua në një analizë gjithëpërfshirëse të arritjeve dhe sfidave të Planit Strategjik 2023–2026, duke nxjerrë mësime konkrete për përmirësimin e planifikimit dhe zbatimit strategjik në të ardhmen. Përfaqësues të udhëheqjes universitare dhe njësive mbështetëse trajtuan çështje kyçe që lidhen me konkurrueshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë, zhvillimin e studentëve, ndërkombëtarizimin, sigurimin e cilësisë, digjitalizimin, infrastrukturën IT, kornizën ligjore, shërbimet e karrierës, bibliotekën universitare si dhe ndikimin e trendeve demografike në zhvillimin e universitetit.

Procesi u karakterizua nga diskutime të hapura dhe gjithëpërfshirëse, duke u mbyllur me një sesion reflektues mbi misionin, vizionin dhe vlerat institucionale të UHZ-së, si dhe me prezantimin e rezultateve paraprake të ditës së parë.

Gjatë ditëve në vijim, Universiteti “Haxhi Zeka” do të vijojë me strukturimin e objektivave strategjikë tematikë, përcaktimin e përgjegjësive institucionale, afateve të zbatimit dhe mekanizmave për matjen e progresit, të bazuara në analizat e kryera dhe në kontributin e drejtpërdrejtë të palëve të interesit, me synim ndërtimin e një vizioni të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Shko në krye