Me vizion të qartë për të transformuar dijen në zhvillim konkret ekonomik dhe social, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi së bashku me ekipin e tij, organizoi takim të veçantë dhe frymëzues me përfaqësues të organizatave joqeveritare nga rajoni i Dukagjinit. Ky takim informal u shndërrua në një moment të rëndësishëm dialogu dhe afrimi, ku u prezantua një nga projektet më premtuese të Universitetit – ndërtimi i Inkubatorit të Biznesit në zemër të UHZ-së.
Me këtë iniciativë, Universiteti “Haxhi Zeka”, me përkrhajen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë si dhe komunës së Pejës, po vendos gurthemelin e një qendre të re për inovacion, sipërmarrje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Inkubatori, theksoi
rektori Krasniqi, do të jetë një hapësirë ku idetë e studentëve dhe të rinjve do të marrin jetë – me mentorim, mbështetje institucionale dhe rrjete bashkëpunimi me sektorin privat, OJQ-të dhe komunat.
Përfaqësuesit e OJQ-ve e mirëpritën me entuziazëm këtë nismë, duke shprehur gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar në fazat e zhvillimit dhe funksionimit të inkubatorit: nga përkrahja e ideve inovative, te organizimi i trajnimeve dhe krijimi i rrjeteve profesionale për të rinjtë. Ky takim konfirmoi një të vërtetë të rëndësishme:
Universiteti “Haxhi Zeka” po e shndërron vizionin në veprim, duke krijuar një model të ri të bashkëjetesës së dijes me zhvillimin ekonomik.



