Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

UHZ vijon me hartimin e Planit Strategjik 2026–2030

Dita e katërt e punëtorisë në fokus: Mësimdhënia dhe Kërkimi Shkencor

Universiteti “Haxhi Zeka” ka zhvilluar ditën e katërt të punëtorisë për hartimin e Planit Strategjik 2026–2030, duke trajtuar dy prej shtyllave më të rëndësishme të zhvillimit institucional: Objektivin Strategjik 2 – Mësimdhënia dhe Zhvillimi i të Nxënit dhe Objektivin Strategjik 4 – Kërkime shkencore, artistike dhe inovacion.

Në këtë fazë të procesit strategjik, diskutimet u përqendruan në transformimin e modelit aktual të mësimdhënies drejt një qasjeje moderne, të orientuar nga studenti, praktika dhe zgjidhja e problemeve reale. U theksua nevoja për rishikimin e plotë të kurrikulave, rritjen e komponentit praktik në programet studimore, formalizimin e praktikave profesionale të detyrueshme dhe integrimin e metodave interaktive në procesin mësimor.

Po ashtu, një vend të veçantë zuri transformimi digjital i universitetit, përmes zhvillimit të platformës së integruar e-learning, përfshirjes së inteligjencës artificiale, analizës së të dhënave dhe sistemeve moderne digjitale në programe studimore, si dhe digjitalizimit të proceseve akademike dhe administrative. Këto masa synojnë rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së universitetit në përputhje me vizionin për transformimin në modelin Universitet 4.0.

Në kuadër të Objektivit Strategjik 4, punëtoria trajtoi zhvillimin e një sistemi më të strukturuar dhe inovativ të veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe artistike. U diskutua për harmonizimin e infrastrukturës rregullative, funksionalizimin e revistës shkencore ndërkombëtare të universitetit, krijimin e bazës digjitale institucionale për veprimtarinë kërkimore, si dhe zbatimin e sistemit anti-plagjiat dhe sigurimin e licencave për softuerë kërkimorë.

Një tjetër element i rëndësishëm ishte mbështetja financiare për publikime në revista të indeksuara ndërkombëtarisht, pjesëmarrja në konferenca shkencore dhe fuqizimi i aplikimeve në programe si Horizon Europe dhe iniciativa të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, u theksua domosdoshmëria e zhvillimit të infrastrukturës kërkimore dhe sigurimit të qasjes së hapur në biblioteka elektronike për stafin dhe studentët.

Procesi i hartimit të Planit Strategjik 2026–2030 po zhvillohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe analitike, duke synuar që Universiteti “Haxhi Zeka” të forcojë profilin e tij akademik, shkencor dhe inovativ, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të rajonit dhe vendit.

Punimet do të vazhdojnë në ditët në vijim me trajtimin e objektivave të tjera strategjike, në mënyrë që dokumenti final të reflektojë një vizion të qartë, realist dhe transformues për të ardhmen e universitetit.

Shko në krye