Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

REAGIM ZYRTAR NDAJ KEQINTERPRETIMEVE MEDIATIKE DHE MBROJTJE E INTEGRITETIT INSTITUCIONAL TË UHZ-SË

Universiteti Haxhi Zeka, UHZ logo me background te kuq

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ndjen përgjegjësinë institucionale dhe publike që të sqarojë opinionin lidhur me disa raportime të fundit në media dhe rrjete sociale, të cilat kanë përçuar mesazhe të pasakta e tendencioze, lidhur me proceset vendimmarrëse dhe funksionimin e brendshëm të institucionit, përfshirë edhe vendimet e Këshillit Drejtues të marra më datë 02.07.2025.

Mediat kanë paraqitur në mënyrë të gabuar si “të paligjshme” apo “të motivuara politikisht” disa vendime që janë në përputhje të plotë me Statutin e Universitetit, Ligjin për Arsimin e Lartë dhe aktet nënligjore në fuqi.

Këshilli Drejtues, në bazë të Neni 23 të Statutit të Universitetit, ka kompetencë për mbikëqyrjen e ligjshmërisë dhe ruajtjen e funksionalitetit institucional. Në këtë frymë, vendimet e marra më 02.07.2025 kanë për qëllim garantimin e rregullsisë së proceseve, mbrojtjen e ligjshmerise dhe statutit të UHZ.

Këto vendime janë marrë pasi është konstatuar se mandati i Senatit të ri, i dalë nga zgjedhjet e vitit 2025 nuk ka filluar ende dhe rrjedhimisht para fillimit të këtij mandati senati i ri nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë ligjore për të marrë vendime, për shkak se mandati i tij fillon vetëm nga data 01.10.2025.  Sipas Nenit 44 të Statutit të Universitetit “Haxhi Zeka”, “Mandati i anëtarëve akademikë dhe joakademikë të Senatit është katër (4) vite dhe mandati i tyre fillon më 1 Tetor” – andaj çdo veprim vendimmarrës i ndërmarrë para kësaj date, përtej konstituimit formal, nuk gëzon bazë statutuare dhe përbën tejkalim të kompetencave. Prandaj mandat dhe kompetencë vendimmarrëse ka Senati aktual, i dalë nga zgjedhjet e vitit 2021.

Bazuar në Nenin 23 të Statutit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Këshilli Drejtues ka për detyrë dhe kompetencë të përkujdeset që dispozitat e përgjithshme të Statutit të zbatohen në praktikë brenda Universitetit (neni 23.1.11) dhe të veprojë sipas dispozitave të përgjithshme të Statutit (neni 23.1.12).

Po ashtu, Këshilli Drejtues ka kompetencë për të organizuar kontrollin e ligjshmërisë dhe menaxhimin e përgjithshëm administrativ dhe financiar (neni 23.1.1 dhe 23.1.5), si dhe për të siguruar funksionimin e rregullt institucional.

Në këtë kuadër, vendimi për shfuqizimin e veprimeve të ndërmarra nga një Senat ende pa mandat të plotë, është një akt i bazuar në kompetencat mbikëqyrëse statutare të KD-së, për të garantuar që proceset e brendshme të zhvillohen në përputhje me parimet e ligjshmërisë, stabilitetit dhe transparencës institucionale.

Senati i ri ka për detyrë vetëm konstituimin formal të vetvetes dhe zhvillimin e procesit të zgjedhjes së dekanëve, ndërsa me ndërmarrjen e veprimeve përtej këtyre kufijve, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke ndërhyrë në vendimmarrje.

Për më tepër, të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për Këshillin Drejtues mbeten të vlefshëm, ndërsa procedura e votimit do të rifillojë në mënyrë të rregullt, nga senati që ka mandat deri me 30.09.2025.

Si një institucion publik, nga i cili kanë diplomuar gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, respektimi i çdo shkronje të ligjit është detyrë dhe standard i patjetërsueshëm për Universitetin “Haxhi Zeka”.

Të gjitha aktet dhe aktivitetet tona janë publike dhe të dokumentuara. Ne mbetemi të përkushtuar në transparencë, llogaridhënie dhe bashkëpunim të plotë me çdo institucion të drejtësisë, përfshirë prokurorinë dhe organet mbikëqyrëse, si pjesë e kulturës sonë institucionale.

Vendimet e marra janë rezultat i analizës së thelluar ligjore dhe janë hartuar nga profesionistë me përvojë, të cilët mbrojnë me integritet proceset institucionale nga çdo shkelje potenciale apo ndërhyrje e jashtme.

Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë shpërndarë informacione të pasakta, të njëanshme apo tendencioze, që të reflektojnë mbi deklaratat e tyre dhe të kërkojnë ndjesë publike për dëmin e shkaktuar ndaj integritetit të institucionit dhe besimit të qytetarëve. Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, por edhe ndaj mbrojtjes së dinjitetit dhe reputacionit të tij institucional.

Kredibiliteti dhe profesionalizmi i UHZ është ndërtuar mbi përkushtimin e stafit që edukon breza të rinj, të cilët do të jenë shtylla të zhvillimit të Kosovës. Ky reputacion nuk mund dhe nuk duhet të zbehet nga raportime të njëanshme, të pabazuara dhe pa verifikim të burimeve zyrtare.

Go to Top
🎓Programet 2025/26