Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Universiteti “Haxhi Zeka” një nga themeluesit e rrjetit ndërkombëtar INSPIRE dhe nënshkrues i partneritetit strategjik me universitetin e West Timișoara

Më 21 maj 2025, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ), si njëri nga themeluesit e nismës, mori pjesë në takimin inaugural të rrjetit të ri ndërkombëtar INSPIRE (International Network for Sustainability Policy and Research in Economics). Ky rrjet synon të avancojë bashkëpunimin akademik dhe hulumtimin shkencor në fushën e qëndrueshmërisë dhe politikave ekonomike në nivel global, me fokus të veçantë në ekonomitë në tranzicion dhe zhvillim të qëndrueshëm.

UHZ u përfaqësua në këtë takim nga Prof. Dr. Halit Shabani, Dekan i Fakultetit të Biznesit, dhe Prof. Dr. Ibish Mazreku, profesor në të njëjtin fakultet. Përfshirja e UHZ-së si një nga themeluesit e rrjetit përbën një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një platforme ndërkombëtare për bashkëpunim shkencor dhe është një dëshmi konkrete e përkushtimit institucional për të fuqizuar komponentën kërkimore dhe shkëmbimin ndërkombëtar.

Në vijim të këtij angazhimi strategjik, më 22 maj 2025, në ambientet e rektoratit të universitetit të West Timișoara (WUT), u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) ndërmjet UHZ-së dhe WUT-it. Marrëveshja synon thellimin e bashkëpunimit në fusha akademike me interes të përbashkët, duke përfshirë mobilitetin e stafit dhe studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore.

Delegacioni i UHZ-së, u prit nga Prof. Dr. Valy Geta CEIA, Prorektore për Ndërkombëtarizimit në WUT. Takimi shënoi një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së vizibilitetit akademik të UHZ-së në arenën evropiane.

Nga 22 deri më 24 maj 2025, përfaqësuesit e UHZ-së morën pjesë gjithashtu në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë të universitetit të West Timișoara, ku prezentuan punimin e tyre shkencor që trajton çështjet e mbikëqyrjes së sigurimeve, me fokus të veçantë në përvojën e tregjeve të ekonomive në tranzicion. Ky kontribut pasqyron përkushtimin e UHZ-së për të sjellë qasje kërkimore bashkëkohore në problematika të rëndësishme të sektorit financiar.

Përfshirja aktive e UHZ-së në këto zhvillime përforcon pozicionin e tij si një institucion lider në kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shkencave të biznesit dhe ekonomisë.

Go to Top
🎓Programet 2025/26