Në një ceremoni madhështore dhe plot solemnitet, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë i akordoi titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” Shkëlqesisë së Tij, Imzot Vincenzo Paglia, një figurë e shquar në diplomacinë fetare, bioetikë dhe promovimin e paqes. Ky nderim vjen si një shenjë e vlerësimit të thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndërtimin e urave të dialogut, pajtimin mes popujve dhe avancimin e vlerave të humanizmit dhe drejtësisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të larta shtetërore dhe akademike, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe figura të rëndësishme nga bota e diplomacisë dhe shoqëria civile. Ndër të pranishmit ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe një mori personalitetesh që kanë ndjekur me admirim dhe respekt veprimtarinë e Imzot Paglia-s.
Në fjalën e tij të hapjes, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, theksoi rëndësinë e këtij nderimi, “në kohët më të vështira të Kosovës, kur dhuna, pasiguria dhe izolimi rëndonin mbi këtë popull, ju nuk qëndruat larg. Zëri juaj nuk u drodh, as nuk u fsheh. Ju zgjodhët të ndërmjetësoni, të dëgjoni, të flisni, të afroni, atje ku rrugët ishin të mbyllura dhe shpresat të rralluara. Në një realitet i ngulfatur nga frika dhe padrejtësia, Ju thatë fjalë që hapnin dritare, tha rektori Krasniqi gjatë fjalimit të tij.
Duke iu drejtuar Imzot Paglia-s rektori Krasniqi theksoi: “Sot, ky universitet ju nderon jo vetëm për atë që keni bërë, por edhe për atë që përfaqësoni. Ju nderon sepse shpreson që drita që ju mbani do të vazhdojë të ndriçojë mendjet dhe zemrat e studentëve tanë”
Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij u shpreh: “Asokohe, kur pjesa tjetër e botës nuk po i kushtonte shumë vëmendje Kosovës, imzot Paglia e solli atë në vëmendjen e Papës. Imzot Paglia kishte caktuar takimin e parë të presidentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova, për t’u takuar në mars të vitit 1993 me Papën Gjon Pali II. Ky takim, në mënyrë esenciale, ktheu një faqe në historinë e vendit tonë”, tha kryeministri.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ndër të tjera theksoi se vepra jetësore e Imzot Paglia-s dëshmon se besimi i tij në Zot ka ecur gjithmonë paralelisht me besimin në njerëzim. Puna e tij në Kosovë është një tjetër dëshmi e meritave të tij.
“Marrja e një çmimi nga një institucion akademik është mënyra më fisnike për të nderuar dhe për të vlerësuar vlerat e një njeriu të madh. Honoris Causa është titulli më i vjetër i këtij lloji në rrethet akademike dhe shërben për të dalluar një individ për arritje apo kontribute të jashtëzakonshme në shoqëri”, theksoi Ministrja Nagavci në fjalimin e saj.
Imzot Vincenzo Paglia është një figurë e mirënjohur në arenën ndërkombëtare për përkushtimin e tij në çështjet e paqes, drejtësisë dhe bioetikës. Ai ka shërbyer për dekada në role kyçe brenda Kishës Katolike, duke u dalluar për angazhimin e tij në ndërmjetësimin e konflikteve dhe ndihmën ndaj më të varfërve. Si President i Akademisë Papnore për Jetën dhe një nga figurat kryesore të Komunitetit të Shën Egjidios, ai ka luajtur një rol kyç në negociatat diplomatike gjatë konflikteve në Ballkan dhe në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Vatikanit.
Në veçanti, gjatë viteve të vështira të konflikteve në ish-Jugosllavi, ai ishte një nga ndërmjetësuesit kryesorë në përpjekjet për pajtim mes palëve të ndryshme. Në Kosovë, ai pati një rol kyç në negociatat për rikthimin e fëmijëve shqiptarë në shkolla dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në kohën e represionit serb. Ai gjithashtu ndërmjetësoi lirimin e Presidentit Ibrahim Rugova gjatë luftës në vitin 1999, një akt që mbeti i gdhendur në kujtesën historike të Kosovës si një kontribut i çmuar për lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Në fjalën e tij të rastit, Imzot Vincenzo Paglia shprehu mirënjohjen e tij të thellë për këtë nderim, duke theksuar lidhjen e tij shpirtërore me Kosovën dhe popullin e saj. “Marrja e këtij titulli akademik në Pejë është një nder i madh për mua. Jemi në një qytet me një histori të lashtë të bashkëjetesës mes kulturave dhe besimeve të ndryshme, i cili mund të krenohet si një vend që i bën nder gjithë Evropës. Prania juaj sot është një shenjë e bukur dhe shpresëdhënëse për atë të ardhme paqeje që i nevojitet mbarë botës,” u shpreh Imzot Paglia.
Ai gjithashtu bëri thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet komuniteteve fetare dhe etnike, duke theksuar se paqja është një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim dhe vullnet të përbashkët.
Ceremonia u përmbyll me dorëzimin solemn të diplomës “Doctor Honoris Causa”, një moment që u shoqërua me duartrokitje të zjarrta dhe emocione të forta nga të pranishmit. Dhënia e këtij titulli nuk është vetëm një nderim për një individ, por një njohje e përkushtimit të tij të përjetshëm për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më të bashkuar. Nëpërmjet punës dhe vizionit të tij, Imzot Vincenzo Paglia mbetet një figurë frymëzuese, një model për gjeneratat e ardhshme që besojnë në fuqinë e paqes dhe dialogut.












































