Ka përfunduar implementimi i projektit “Identifikimi i nevojave të industrisë në Rajonin e Dukagjinit dhe më gjerë”, i realizuar në kuadër të skemës së garantëve “Programi i mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese për universitetet publike të Kosovës”. Ky program është financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), përmes projektit HEI’25, që mbështetet financiarisht nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe zbatohet nga Qendra për Arsimin e Kosovës (KEC) dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).
Në kuadër të këtij projekti është realizuar një hulumtim i tregut, me fokus të veçantë në identifikimin e nevojave të industrisë në rrafshin e Dukagjinit. Krahas këtij hulumtimi, janë organizuar edhe dy trajnime profesionale për studentët pjesëmarrës, me temat:
💻 Përdorimi i softuerit SPSS, dhe
📈 Analiza e të dhënave (Data Analysis).
Pjesëmarrës në projekt ishin studentë dhe Alumni nga departamentet në gjuhën shqipe dhe gjuhën boshnjake të Universitetit “Haxhi Zeka”, të cilët përmes përfshirjes aktive në hulumtim dhe trajnime, kanë zhvilluar aftësi praktike dhe njohuri të rëndësishme në fushën e analizës së tregut dhe të dhënave.
Ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi ndihmon në afërsimin e arsimit të lartë me nevojat reale të tregut të punës, si dhe nxit zhvillimin e kompetencave praktike dhe kërkimore te studentët, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Koordinatorja e projektit, Prof. Ass. Dr. Suada Ajdarpašić, shpreh mirënjohje të thellë për të gjitha institucionet dhe organizatat që kanë mbështetur realizimin e këtij projekti, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), Qendrën për Arsimin e Kosovës (KEC), Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), si dhe Universitetin “Haxhi Zeka”. Ajo thekson se bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve ishte vendimtar për suksesin e projektit dhe për ndikimin e tij të vazhdueshëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.




