Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Roje të cilësisë në arsimin e lartë: Roli jetik i AKA-së dhe KSHC-së në standardizimin dhe ndërlidhjen me tregun e punës

Shkruar nga Dr.sc. Armand Krasniq – Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”

Roje të cilësisë në arsimin e lartë: Roli jetik i AKA-së dhe KSHC-së në standardizimin dhe ndërlidhjen me tregun e punës

Në një sistem arsimor të ndjeshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm si ai i Kosovës, ndërtimi i një arkitekture funksionale për sigurimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë përbën një nga sfidat më madhore të periudhës së tranzicionit. Në këtë kontekst, roli i Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) dhe i Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KSHC) shfaqet si i pazëvendësueshëm dhe jetik, jo vetëm në standardizimin dhe akreditimin e programeve studimore, por edhe në lidhjen efektive të arsimit të lartë me nevojat reale të tregut të punës.

Në një mjedis ku shpesh dominon retorika për autonominë institucionale dhe sfidat e burokracisë akademike, AKA dhe KSHC kanë ditur të qëndrojnë të pavarura, profesionale dhe të besueshme, duke respektuar rigorozisht standardet evropiane të cilësisë (ESG – Standards and Guidelines for Quality Assurance in the European Higher Education Area). Ato kanë krijuar një kornizë të qartë funksionale dhe të qëndrueshme për vlerësimin dhe akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të tyre, duke e shndërruar këtë proces nga një procedurë formale në një mekanizëm të fuqishëm për përmirësimin e vazhdueshëm institucional.

Në thelb, këto institucione janë jo vetëm rregullatore, por edhe partnere të zhvillimit të arsimit të lartë, duke udhëhequr proceset e akreditimit përmes një metodologjie të qartë, të dokumentuar dhe të barabartë për të gjitha institucionet. Vlera e tyre qëndron jo vetëm në përmbushjen e detyrimeve ligjore, por në misionin që e kanë përqafuar për ngritjen e cilësisë si një kriter themelor në ndërtimin e institucioneve të forta dhe konkurruese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përkundër sfidave të shumta, e shpeshherë edhe presioneve të natyrave të ndryshme nga akterë të brendshëm të arsimit të lartë, AKA dhe KSHC kanë qëndruar në anën e standardit, profesionalizmit dhe integritetit. Ata kanë ditur të refuzojnë kompromiset që dëmtojnë cilësinë dhe kanë promovuar meritokracinë, kompetencën dhe transparencën në vlerësimin akademik. Për më tepër, këto institucione kanë promovuar qasje të barabartë për të gjitha IAL-të në Kosovë, pa bërë dallime apo diskriminime të ndikuara nga përkatësitë gjeografike, politike apo institucionale.

Ndërlidhja mes agjencive të akreditimit dhe tregut të punës është një tjetër pikë e rëndësishme që e fuqizon rolin e AKA-së dhe KSHC-së. Duke ndërtuar standarde që reflektojnë kompetenca reale dhe të matshme të bartësve të programeve dhe të diplomuarve, ata kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në përputhshmërinë mes ofertës arsimore dhe kërkesës në tregun e punës. Për universitetet që kanë synim të bëhen institucione ndërmarrëse dhe të orientuara nga ndikimi social dhe ekonomik, AKA dhe KSHC paraqesin një busull që garanton cilësinë dhe relevancën e programeve akademike.

Ky artikull, pavarësisht mundësisë për mospajtime të karakterit punues, nuk përfaqëson gjë tjetër përveç një vlerësim të sinqertë dhe një mirënjohje publike për këto dy institucione, të cilat kanë qenë, dhe duhet të mbeten, gurë themeltarë në arkitekturën e arsimit të lartë në Kosovë. Ruajtja e pavarësisë së tyre, mbështetja institucionale dhe angazhimi i bashkërenduar me të gjitha palët e interesit janë parakushte për ruajtjen e besueshmërisë së sistemit dhe për përmbushjen e misionit të arsimit të lartë në shoqërinë tonë.

Go to Top
🎓Programet 2025/26