Universiteti “Haxhi Zeka” ka shënuar një arritje të rëndësishme në edicionin e korrikut 2025 të renditjes ndërkombëtare Webometrics, duke u pozicionuar në vendin e dytë ndër universitetet publike në Kosovë. Ky sukses pasqyron një përkushtim të vazhdueshëm institucional për përmirësimin e cilësisë akademike, forcimin e dukshmërisë digjitale dhe menaxhimin strategjik të prezencës online.
Transformimi nisi në vitin 2022, me fokus në rritjen e prezencës akademike në hapësirën digjitale. Gjatë vitit 2023, u implementuan strategji të reja për promovimin e vlerave akademike dhe forcimin e pranisë online. Në vitin 2024, përmirësimi i përmbajtjes së faqes zyrtare, publikimi i rregullt i punimeve shkencore dhe reflektimi i aktiviteteve akademike kontribuan dukshëm në ngritjen e universitetit në renditjet ndërkombëtare.
Në edicionin e korrikut 2025, renditja është realizuar sipas një metodologjie të re, ku në vend të Google Scholar përdoret platforma OpenAlex – një bazë moderne dhe më selektive për matjen e ndikimit shkencor. Ky ndryshim ka ndikuar në shumë universitete në botë, përfshirë edhe UHZ. Megjithatë, pavarësisht këtij kalimi, Universiteti “Haxhi Zeka” ka shënuar ngritjen më të madhe historike në këtë renditje, duke vazhduar lëvizjen e qëndrueshme drejt objektivave strategjike.
Vlen të theksohet se ky sukses është arritur me vetëm 84 pedagogë aktivë – një trupë akademike dukshëm më e vogël krahasuar me universitetet e tjera publike në vend. Po të llogaritej performanca për kokë staf akademik, Universiteti “Haxhi Zeka” do të renditej i pari në Kosovë, duke dëshmuar efikasitetin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të stafit të tij.
Universiteti tashmë ka nisur përgatitjet për t’u përshtatur plotësisht me kërkesat e OpenAlex, përmes promovimit të strukturuar të punimeve shkencore, standardizimit të metadata-s dhe forcimit të pranisë në platformat ndërkombëtare të indeksimit. Këto masa janë pjesë e një plani të mirëkoordinuar institucional, ndërsa rezultatet e plota të këtij angazhimi pritet të reflektohen në edicionin e ardhshëm të renditjes, në janar 2026, duke konsoliduar më tej pozitën e Universitetit në hartën akademike ndërkombëtare.
Ky progres është rezultat i punës së përbashkët të komunitetit akademik, udhëheqjes vizionare dhe politikave të qëndrueshme që synojnë një universitet më të fortë, më të hapur dhe më të dukshëm. Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të ecë me hapa të sigurt drejt rritjes së mëtejshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.