Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Universiteti “Haxhi Zeka” po projekton të ardhmen: Synon themelimin e shoqërisë tregtare për inovacion, ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik rajonal

Në kërkim të një modeli të ri të universitetit publik në Kosovë

Nga Dr.sc. Armand Krasniqi Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka”

Në një epokë të transformimeve të shpejta ekonomike, teknologjike dhe sociale, universitetet publike nuk mund e as nuk duhet të qëndrojnë më brenda kornizave tradicionale të mësimdhënies teorike. Nevoja për institucione më dinamike, më të lidhura me industrinë dhe më të afta për të prodhuar ndikim të prekshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit është më urgjente se kurrë. Pikërisht në këtë kontekst, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë po ndërmerr një hap të guximshëm dhe novator: themelimin e një shoqërie tregtare në pronësi të universitetit, e cila do të shërbejë si instrument për zhvillimin e inovacionit, zhvillimin e programeve të teknologjisë të avancuar, mbështetjen e startup-eve dhe nxitjen e ndërmarrësisë në rajon.

Një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj boshllëkut institucional në Kosovë

Në shumicën e vendeve të Ballkanit dhe BE-së, universitetet janë të përfshira në sisteme të avancuara të mbështetjes për inovacion dhe sipërmarrje: nga inkubatorët universitarë, deri te parqet teknologjike dhe qendrat për transferimin e teknologjisë. Në Slloveni, për shembull, universitetet menaxhojnë rrjete të tëra të bizneseve spin-off, ndërsa në Mal të Zi qendrat për inovacion në kuadër të universiteteve financohen pjesërisht nga buxheti i shtetit dhe fondet IPA të BE-së.

Në Kosovë, në të kundërt, nuk ekziston asnjë agjenci e specializuar shtetërore që mbështet drejtpërdrejt universitetet publike në misionin e tyre të tretë – atë të ndikimit në zhvillimin ekonomik. KIESA, si agjenci e varur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbështet ndërmarrësinë në mënyrë të gjerë, por universitetet nuk janë përfshirë si aktorë institucionalë në politikat zhvillimore të inovacionit.

Ky boshllëk e ka reduktuar universitetin publik në një entitet të margjinalizuar: pa kapacitete për komercializimin e njohurive, pa mjete juridike për të krijuar struktura të ndërmarrësisë dhe pa qasje efektive në fondet publike zhvillimore.

Shoqëria tregtare e UHZ-së: Mjet për ndikim real, jo qëllim në vetvete

Universiteti “Haxhi Zeka”, duke lexuar me vëmendje këto dinamika, ka ndërmarrë nismën për krijimin e një Shoqërie ttregtare – publike, e cila do të jetë në pronësi të plotë të universitetit dhe do të veprojë me mision të qartë zhvillimor dhe publik. Kjo shoqëri do të shërbejë si:

· Inkubator për startup-e dhe ide studentore;

· Qendër për trajnime dhe certifikime të specializuara në bashkëpunim me industrinë;

· Njësi për menaxhimin e projekteve të financuara nga BE, MINT dhe partnerë të tjerë zhvillimorë;

· Pikë lidhëse për komercializimin e kërkimit shkencor të gjeneruar nga fakultetet dhe stafi akademik.

Kjo nuk është një përpjekje për tregti ose fitim. Është një mekanizëm institucional për të përmbushur përgjegjësinë publike të universitetit, duke ndërtuar ura të reja midis dijes akademike dhe nevojave të tregut.

Qasje në fonde kombëtare dhe ndërkombëtare: Një realitet i mundshëm

Shoqëria e UHZ-së do të jetë në gjendje të aplikojë në:

· Fonde të KIESA-s për ndërtimin e inkubatorëve dhe zhvillimin e infrastrukturës së inovacionit;

· Thirrjet e MINT-it për mbështetje të qendrave të trajnimit profesional dhe ndërmarrësisë digjitale;

· Programet ndërkombëtare si Erasmus+, Horizon Europe, Interreg dhe fondet IPA II të BE-së.

· Fodet e Komunave për qëllim të përkrahjes për zhvillim ekonomik.

Duke pasur kapacitet të veçantë juridik dhe financiar, kjo shoqëri do të jetë më e aftë të ndërtojë partneritete ndërkombëtare dhe të qeverisë projekte të përmasave më të mëdha, të cilat universitetet tradicionalisht nuk i kanë menaxhuar për shkak të strukturave burokratike të brendshme.

Ndikimi i drejtpërdrejtë në studentë dhe komunitet

Kjo iniciativë nuk ka për qëllim vetëm forcimin institucional të UHZ-së, por edhe krijimin e një ekosistemi mbështetës për të rinjtë, studentët dhe të diplomuarit, duke i pajisur ata me:

· Mundësi reale për të testuar dhe zhvilluar idetë e tyre;

· Qasje në mentorim dhe rrjete profesionale;

· Hapsirë për krijimin e bizneseve të reja me potencial punësimi dhe eksporti;

· Kushte për zhvillimin e inovacionit social dhe teknologjik në përputhje me nevojat lokale.

Vizion i aplikueshëm në gjithë sistemin universitar të Kosovës

Në një sistem të arsimit të lartë që ende vuan nga izolimi nga tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik, modeli që po synon të ndërtojë UHZ, përbën një shembull të ri për transformimin e rolit të universiteteve publike. Krijimi i një shoqërie tregtare të përkushtuar ndaj inovacionit dhe ndërmarrësisë është një rrugë që mund të ndiqet nga çdo universitet publik, për aq kohë sa ekziston vullneti për të ndërthurur misionin akademik me përgjegjësinë sociale dhe zhvillimore.

Universiteti si katalizator i së ardhmes së vendit

Universiteti “Haxhi Zeka” nuk po ndërmerr thjesht një hap administrativ – por shpalos një vizion të ri për të ardhmen e universitetit publik në Kosovë. Një universitet që nuk qëndron më në periferi të zhvillimeve ekonomike, por bëhet pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së vendit. Me këtë hap, UHZ po hap rrugën për një transformim të mirëfilltë të arsimit të lartë: nga qendra e transmetimit të dijes, në akselerator të zhvillimit, inovacionit dhe emancipimit socio-ekonomik.

Go to Top
🎓Programet 2025/26