Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të jetë pjesë aktive e zhvillimeve bashkëkohore në arsimin e lartë evropian. Këtë javë, përfaqësueset e këtij institucioni – Prof. ass. dr. Alma Shehu Lokaj, Prof. asoc. dr. Theranda Beqiri dhe Ms. Arberora Haxhijaj – po marrin pjesë në aktivitetin ndërkombëtar Digital Week 2025, i cili po mbahet në qytetin e bukur të Nice-s, Francë, nga data 16 deri më 20 qershor.
E organizuar nga Université Côte d’Azur, kjo javë e dedikuar inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në arsimin e lartë mbledh profesionistë nga mbarë bota për të eksploruar mundësitë që ofron transformimi digjital në arsim. Temat e trajtuara përfshijnë teknologjitë e reja, inteligjencën artificiale në mësimdhënie, përdorimin e platformave të realitetit virtual, si dhe ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare përmes mjeteve digjitale.
Përfaqësimi i Universitetit “Haxhi Zeka” në këtë forum të rëndësishëm shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe përforcimit të kapaciteteve akademike. Pjesëmarrësit po angazhohen në punëtori praktike, shkëmbim përvojash dhe krijim lidhjesh të reja që do të reflektohen në zhvillimin institucional dhe cilësinë e mësimdhënies.
Kjo përvojë e çmuar jo vetëm që sjell njohuri të reja për universitetin tonë, por edhe e forcon rolin e tij si një institucion që ndjek ritmin e kohës dhe investon në të ardhmen e arsimit dhe studentëve.




