Në vazhdën e përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe për krijimin e mundësive të reja për studentët, komunitetin akademik dhe zhvillimin ekonomik rajonal, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” (UHZ), Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe Prorektorja për Çështje të Mësimit dhe Studentëve, Dr. Sc. Prof. Ass. Alma Shehu – Lokaj, zhvilluan sot një takim të rëndësishëm pune me Kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, ku të pranishmit ndanë vizionin e tyre për fuqizimin e arsimit të lartë nëpërmjet përmirësimit e fuqizimit të lidhjeve mes universiteteve dhe institucioneve lokale.
Bashkëpunimi i Universitetit “Haxhi Zeka” me Komunën e Deçanit
Gjatë bisedës, Rektori Krasniqi e informoi Kryetarin Ramosaj për punën dhe aktivitetet e shumta që po zhvillohen në Universitetin “Haxhi Zeka”, duke vënë theksin në projektet kërkimore – shkencore, artistike, inovacionin dhe aktivitetet akademike që, tani më, po ndihmojnë zhvillimin rajonal.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte Forumi Ekonomik Rajonal Dukagjini (FERD), një platformë bashkëpunimi mes institucioneve akademike, bizneseve, OJQ – ve dhe administratës lokale, e cila ka shënuar rezultate konkrete në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimin e mundësive për të rinjtë. U analizuan të arriturat e deritanishme në kuadër të këtij forumi dhe u diskutuan hapat e ardhshëm për forcimin e mëtejshëm të kësaj iniciative.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e funksionalizimit të Barometrit të Turizmit në Republikën e Kosovës, një projekt me rëndësi të veçantë për studimin dhe analizimin e zhvillimeve në sektorin e turizmit, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për politikëbërësit, bizneset dhe komunitetin akademik. Ky barometër synon të shërbejë si një instrument strategjik për planifikimin dhe promovimin e turizmit në Kosovë.
Angazhimi për vazhdimin e bashkëpunimit
Në përfundim të takimit, Rektori Krasniqi shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Kryetarit Ramosaj për mbështetjen e pakursyer dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për përkrahjen e Universitetit “Haxhi Zeka” në iniciativa të ndryshme akademike dhe zhvillimore. Po ashtu, u theksua se ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet për të krijuar programe të reja, për të zgjeruar mundësitë për studentët dhe për të fuqizuar ndikimin e universitetit në zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.
Nga ana e tij, Kryetari Ramosaj ritheksoi mbështetjen e Komunës së Deçanit për projektet dhe iniciativat e universitetit, duke theksuar se bashkëpunimi mes institucioneve arsimore dhe pushtetit lokal është një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin.
Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me institucionet publike dhe private, duke krijuar një mjedis akademik të bazuar në kërkimin shkencor, inovacionin dhe ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës.