Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Studentët e Fakultetit të Biznesit vizituan Administratën Tatimore të Kosovës – Dega në Pejë

Studentët e Fakultetit të Biznesit, në kuadër të lëndës Mësimi Praktik dhe Zhvillimi i Karrierës, të shoqëruar nga profesoresha Shkëlqesa Smajli dhe Zyrtarja për Zhvillim të Karrierës Leonora Gjergjaj, realizuan një vizitë studimore në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), dega në Pejë.

Përfaqësuesit e ATK-së, drejtori i degës Shefqet Dervishaj dhe inspektori tatimor Rexhep Kuqi, pritën studentët dhe u prezantuan atyre funksionin, rolin dhe rëndësinë e Administratës Tatimore në zhvillimin ekonomik të vendit.

Studentët u informuan në mënyrë të përmbledhur për funksionimin e ATK-së, duke përfshirë historikun, misionin, strukturën organizative, llojet e tatimeve që administrohen (tatimi në të ardhura, tatimi në fitim, TVSH, tatimi në pagë etj.), si dhe bazën ligjore mbi të cilën mbështetet sistemi tatimor në Kosovë. Po ashtu, ata u njohën me proceset e administrimit tatimor, rolin e inspektorëve dhe shërbimet digjitale si deklarimi elektronik dhe platformat online për tatimpaguesit.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësi të shohin nga afër punën e përditshme të administratës tatimore, si dhe të bëjnë pyetje rreth çështjeve praktike që lidhen me tatimet, qarkullimin financiar, përgjegjësitë e bizneseve dhe rëndësinë e përmbushjes së obligimeve tatimore.

Ky aktivitet u realizua me qëllim që studentët të fitojnë njohuri praktike për funksionimin e institucioneve publike, me theks të veçantë në administrimin e të hyrave dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes sistemit tatimor.

Universiteti “Haxhi Zeka”falënderon ATK-në për pritjen dhe bashkëpunimin, duke vlerësuar rëndësinë e këtyre vizitave në përgatitjen profesionale të studentëve dhe lidhjen e tyre me tregun e punës.

Shko në krye