Personeli akademik i Universitetit “Haxhi Zeka” është aktualisht në fazën e zbatimit të katër projekteve kërkimore-shkencore në kuadër të Institutit për Shkencë dhe Arte, të financuara nga vetë Universiteti. Këto projekte përfaqësojnë një angazhim serioz drejt zhvillimit të kapaciteteve akademike dhe përmirësimit të kontributit shkencor në fusha me rëndësi strategjike për institucionin.
Projekti I: “EcoPulse”
Në kuadër të projektit EcoPulse, deri tani janë arritur disa hapa të rëndësishëm drejt realizimit të objektivave kryesore. Një nga aktivitetet kryesore që ka përfunduar është përgatitja e pyetësorit për analizën e gjurmës së karbonit. Ky pyetësor është konceptuar me qëllim të mbledhjes së të dhënave të nevojshme për vlerësimin dhe reduktimin e ndikimit mjedisor, dhe aktualisht është në fazën e konsultimit me një ekspert të jashtëm për të siguruar finalizimin dhe përsosjen e tij.
Një tjetër sukses i projektit është themelimi dhe nisja e funksionimit të Inkubatorit të Gjelbër, një hap kyç që krijon një mjedis mbështetës për zhvillimin e ideve dhe bizneseve inovative me fokus në qëndrueshmërinë mjedisore. Në kuadër të Inkubatorit, është organizuar me sukses gara për ide të gjelbra biznesore, ku kanë marrë pjesë shumë ide kreative dhe inovative. Pas vlerësimit të kujdesshëm, janë shpallur fituesit e garës, dhe aktualisht po shqyrtohet mundësia për inkubimin e tre prej ideve fituese, duke u dhënë kështu një mundësi reale për zhvillimin dhe realizimin e tyre në praktikë.
Progresi i projektit EcoPulse është shumë premtues, me hapa konkretë të ndërmarra në drejtim të analizës së ndikimit mjedisor dhe mbështetjes së inovacionit në fushën e gjelbër, duke krijuar një bazë solide për fazat e ardhshme dhe realizimin e qëllimeve afatgjata të projektit.
Projekti II: “Is it Wise to Invest in Tourism?”
Ky projekt është në fazën përmbyllëse të draftit të parë të dy mini-studimeve të fokusuara në potencialin dhe sfidat e investimeve në sektorin e turizmit. Gjetjet preliminare sugjerojnë që rezultatet do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në politikat dhe iniciativat për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Kosovë. Studimet pritet të ofrojnë të dhëna të reja dhe të besueshme që mund të përdoren si bazë për hartimin e strategjive të investimit në këtë sektor.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e kapaciteteve kërkimore të stafit të përfshirë në projekt, falë bashkëpunimit të ngushtë dhe sistematik me një ekspert ndërkombëtar. Takimet javore me ekspertin kanë mundësuar një proces pune të organizuar dhe të vazhdueshëm, duke ndihmuar në hartimin e një raporti të detajuar dhe të standardizuar.
Për më tepër, është mbajtur me sukses workshop-i i parë i projektit, ndërsa së shpejti do të organizohet workshop-i i dytë dhe tryeza e rrumbullakët, e cila do të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse për prezantimin dhe diskutimin e gjetjeve kryesore, si dhe për formulimin e rekomandimeve praktike për aktorët relevantë në sektorin e turizmit. https://www.facebook.com/share/1A4cQD9NWF/
Projekti III: “Aligning Academic Programs with Job Market Demands: A Data-Driven Approach Using Predictive Modeling Research”
Në kuadër të këtij projekti është realizuar grumbullimi i të dhënave nga burime të ndryshme të tregut të punës dhe programeve akademike, me fokus në krijimin e një strukture të standardizuar dhe të krahasueshme, si dhe është realizuar pastrimi i të dhënave dhe kategorizimi sipas sektorëve ekonomikë, fushave të studimit dhe profileve profesionale të kërkuara. Në këtë kontekst është ndërtuar versioni fillestar i modelit krahasues, i cili synon të krijojë lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet përmbajtjes së programeve akademike dhe trendeve aktuale të tregut të punës.
Për më shumë është bërë identifikimi i burimeve të besueshme të konkurseve të punës, të cilat do të shërbejnë si bazë për analizën dinamike dhe përditësimin periodik të modelit. Po ashtu, janë analizuar dhe testuar teknika të ndryshme të modelimit me qëllim identifikimin e metodave më të përshtatshme dhe të qëndrueshme për ndërtimin e një strukture parashikuese të aplikueshme edhe në të ardhmen.
Këto hapa kanë krijuar themelet për kalimin në fazën e testimit dhe validimit të modelit.
Projekti IV: “Innovative Eco-Friendly Methods for Aflatoxin M1 Reduction in Milk: Supporting Environmental Sustainability and Efficient Resource Utilization”
Ky projekt ka arritur tashmë në fazën përfundimtare të implementimit. Aktivitetet kryesore, përfshirë grumbullimin e mostrave dhe analizat laboratorike, janë realizuar me sukses në bashkëpunim me laboratorët e Fakultetit të Agrobiznesit, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, si dhe në laboratorët e Universitetit të Mjekësisë Veterinare në Vjenë (VETMEDUNI).
Projekti ka ofruar mundësi të vlefshme për avancimin akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit. Dy studente të Fakultetit të Agrobiznesit kanë zhvilluar punimet e tyre të nivelit master në kuadër të projektit, duke kontribuar drejtpërdrejt në gjenerimin e njohurive të reja shkencore. Po ashtu, stafi akademik dhe studentët pjesëmarrës kanë përfituar nga një trajnim intensiv njëjavor në Austri, i cili ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe kërkimore.
Rezultatet e këtij projekti janë me interes të veçantë për sektorin e bujqësisë dhe për ruajtjen e shëndetit publik, si dhe për promovimin e një ekonomie bujqësore të qëndrueshme dhe qarkore. Metodat e zhvilluara për reduktimin ekologjik të aflatoksinës M1 në qumësht përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një prodhimi më të pastër dhe më të sigurt ushqimor.