Një delegacion i profesorëve nga Fakulteti i Agrobiznesit të Universitetit “Haxhi Zeka”, përfshirë Prof. Asoc. Dr. Arieta Camaj Ibrahimi, Prof. Ass. Dr. Shyhrete Muriqi, Prof. Ass. Dr. Granit Kastrati dhe Dr. Indrit Loshi, realizoi një vizitë zyrtare tre-ditore në Universitetin e Vjenës, Vetmeduni Vienna dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri nga data 10-12 shkurt 2025.
Qëllimi kryesor i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit akademik dhe shkencor, veçanërisht në fushat e kimisë ushqimore, toksikologjisë dhe sigurisë ushqimore. Delegacioni shqyrtoi mundësitë për projekte të përbashkëta, shkëmbime akademike për stafin dhe studentët, si dhe organizimin e trajnimeve të specializuara për stafin e UHZ-së.
Gjatë qëndrimit në Vjenë, profesorët u pritën nga Prof. Dr. Doris Marko, drejtoreshë e Institutit të Kimisë së Ushqimit dhe Toksikologjisë në Universitetin e Vjenës, dhe Prof. Asoc. Dr. Elisabeth Varga në Vetmeduni Vienna, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre akademikë. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e fushave të përbashkëta të interesit dhe krijimin e lidhjeve për bashkëpunim afatgjatë.
Në përfundim të vizitës, delegacioni vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, ku u prit nga z. Albinot Bimbashi, i Ngarkuar me Punë. Gjatë takimit, u diskutua roli i Ambasadës në mbështetjen e bashkëpunimeve akademike mes institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Austri, duke hapur mundësi të reja për projekte ndërinstitucionale dhe shkëmbime akademike.







