Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Përgatitjet për Strategjinë 2026–2030 prezantohen para njësive akademike të UHZ-së

Sot, menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” zhvilloi një takim pune me stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit të Biznesit, Fakultetit të Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, si dhe Fakultetit Juridik, ku u prezantuan idetë dhe propozimet fillestare për Planin e Ri Strategjik të UHZ për periudhën 2026–2030. Ky takim shënon fazën e parë të procesit gjithëpërfshirës të diskutimeve dhe analizave për misionin dhe vizionin e ri të universitetit. “Haxhi Zeka” në Pejë ka nisur procesin e hartimit të Planit Strategjik 2026–2030, një dokument thelbësor që do të udhëheqë zhvillimin institucional në vitet e ardhshme. Rektori i UHZ-së, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e ngushtë, prezantuan para njësive akademike qasjen, strukturën dhe hapat përgatitorë të këtij procesi strategjik.

Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të të gjitha njësive akademike në këtë fazë të hershme. Rektori Krasniqi theksoi se plani i ri strategjik do të reflektojë zhvillimet bashkëkohore në arsimin e lartë, inovacionin, kërkimin shkencor, kontributin në shoqëri, digjitalizimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar – duke i dhënë UHZ-së një orientim të qartë drejt standardeve evropiane. 

Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar që përmes një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe profesional, të ndërtojë një vizion modern për periudhën 2026–2030, duke synuar rritjen e cilësisë akademike, forcimin e kërkimit shkencor, zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe ndikimin e qëndrueshëm në zhvillimin social-ekonomik të Kosovës.

Shko në krye