Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

NGA VIZIONI I HAXHI ZEKËS TE UNIVERSITETI 4.0: TRASHËGIMIA SI ORIENTIM PËR TË ARDHMEN

(me rastin e 193 vjetorit te lindjes) 

Emërtimi i Universitetit të Pejës me emrin Haxhi Zeka nuk është vetëm një nderim simbolik, por një manifest i misionit arsimor dhe shoqëror të institucionit – për të mbartur frymën e emancipimit, bashkimit dhe përparimit drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe pro-evropiane.

Universiteti “Haxhi Zeka” nuk e mban emrin e një figure historike thjesht për arsye formale apo simbolike. Emri i Haxhi Zekës është një bosht kuptimor, një pikë reference që lidh të kaluarën me të tashmen dhe e orienton institucionin drejt së ardhmes. Në këtë kuptim, çdo zhvillim i Universitetit, çdo mision i tij dhe çdo hap strategjik që ndërmerret sot, mund dhe duhet të lexohet në dritën e jetës dhe veprës së tribunit dhe patriotit që i dha emrin këtij institucioni.

Haxhi Zeka, i lindur më 20 dhjetor, përfaqëson një figurë të rrallë të historisë sonë kombëtare, ku atdhedashuria, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe përgjegjësia shoqërore nuk qëndrojnë të ndara, por ndërthuren natyrshëm. Ai veproi në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për shqiptarët, në kushte mungese shteti, mungese institucionesh dhe presioni politik të vazhdueshëm. Megjithatë, përtej angazhimit të tij politik dhe kombëtar, Haxhi Zeka e kuptoi herët se liria nuk mund të jetë e qëndrueshme pa dije, se identiteti nuk mbijeton pa arsim, dhe se përparimi nuk realizohet pa zhvillim ekonomik.

Në këtë frymë, angazhimi i tij për financimin dhe fillimin e mësimit në gjuhën shqipe nuk ishte thjesht një akt kulturor, por një veprim strategjik. Arsimi në gjuhën amtare për Haxhi Zekën ishte instrument emancipimi, një mënyrë për ta bërë shoqërinë më të vetëdijshme, më të aftë dhe më të organizuar. Po aq domethënës është edhe fakti se ai ishte ndër të parët në rajon që investoi në industri dhe manifakturë, duke e kuptuar se zhvillimi ekonomik është parakusht për dinjitetin shoqëror dhe qëndrueshmërinë kombëtare. Kjo e bën Haxhi Zekën jo vetëm një figurë politike të Rilindjes, por edhe një vizionar të zhvillimit, një mendje moderne për kohën e vet.

Kjo filozofi jetësore e Haxhi Zekës gjen sot vazhdimësi të qartë në misionin dhe zhvillimin e Universitetit që mban emrin e tij. Universiteti “Haxhi Zeka” është ndërtuar mbi tri misione themelore: mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe shërbimin ndaj shoqërisë. Këto nuk janë misione të ndara, por komponentë të një vizioni të integruar, ashtu siç arsimi, ekonomia dhe shoqëria ishin të pandashme në veprimtarinë e vetë Haxhi Zekës.

Në dekadën e fundit, UHZ ka kaluar nga një universitet klasik drejt konceptit të universitetit ndërmarrës dhe Universitetit 4.0, duke e kuptuar se roli i universitetit bashkëkohor nuk përfundon në auditor. Iniciativa si UNI NOVA, FERD – Instituti për Shkencë dhe Arte, dhe ndërtimi i modelit të heliksit të katërfishtë janë shprehje konkrete të kësaj filozofie. Ato synojnë të krijojnë ura të qëndrueshme mes universitetit, industrisë, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, duke e kthyer dijen në vlerë shoqërore dhe ekonomike. Në këtë kuptim, UHZ po e bën atë që Haxhi Zeka bëri në mënyrë intuitive në shekullin XIX: po e lidh dijen me zhvillimin real.

Po ashtu, zhvillimi i kurrikulave të integruara, përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës universitare, organizimi i Universitetit Veror dhe Dimëror, konferencave shkencore ndërkombëtare dhe rritja e mobiliteteve akademike, janë pjesë e një procesi që synon rritjen e cilësisë dhe hapjen e universitetit drejt botës. Certifikatat e cilësisë dhe akreditimet nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës nuk janë qëllim në vetvete, por instrumente për të garantuar se ky universitet ecën në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Edhe kjo përputhet simbolikisht me misionin e Haxhi Zekës, i cili kërkonte integrim, dinjitet dhe barazi për shqiptarët në një kontekst më të gjerë politik e shoqëror.

Ndërkombëtarizimi i Universitetit “Haxhi Zeka”, anëtarësimi në rrjete dhe institucione universitare ndërkombëtare, si dhe zhvillimi i studimeve të doktoratës, përfaqësojnë një tjetër dimension të këtij vizioni. Ato e vendosin universitetin në një dialog të vazhdueshëm me botën akademike globale, duke i dhënë studentëve dhe stafit mundësinë të jenë pjesë aktive e prodhimit të dijes. Në mënyrë simbolike, kjo reflekton aspiratën e Haxhi Zekës për ta nxjerrë shoqërinë shqiptare nga izolimi dhe për ta bërë pjesë të zhvillimeve të kohës.

Në fund, Universiteti “Haxhi Zeka” nuk e nderon figurën e tij vetëm me emër, por me veprim. Çdo investim në dije, çdo hap drejt inovacionit, çdo përpjekje për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, është një mënyrë për ta aktualizuar misionin e Haxhi Zekës në shekullin XXI. Kështu, trashëgimia historike nuk mbetet e ngrirë në kujtesë, por shndërrohet në udhërrëfyes strategjik, duke e bërë universitetin jo vetëm bartës të emrit, por vazhdues të vizionit të tij.

Shko në krye