Pas përmbylljes së ciklit të takimeve konsultative me të gjitha njësitë akademike në kuadër të procesit të hartimit të Planit Strategjik 2026–2030, sot menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” ka zhvilluar një takim të dedikuar me Administratën Qendrore të institucionit, me qëllim diskutimin e rolit thelbësor që kjo administratë mban në funksionimin, efikasitetin dhe mbështetjen e të gjithë strukturës universitare.
Gjatë takimit u prezantuan të arriturat e institucionit gjatë katër viteve të kaluara dhe u diskutuan idetë dhe propozimet fillestare për Planin Strategjik 2026–2030, duke u fokusuar në rritjen e efikasitetit të proceseve të punës, avancimin e digjitalizimit, modernizimin e shërbimeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive. Rektori i UHZ-së, Prof. Dr. Armand Krasniqi theksoi se Administrata Qendrore përbën boshtin organizativ të universitetit, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e proceseve akademike, administrative dhe menaxheriale.
Në këtë kuadër, u vu theksi te planet 5-vjeçare të UHZ-së, të cilat përfshijnë modernizimin e plotë të proceseve administrative dhe funksionalizimin e plotë të qendrave të specializuara, përfshirë UNI-NOVA – Qendrën Universitare për Inovacion dhe Ndërmarrësi, që pritet të shërbejë si një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e kreativitetit, inovacionit dhe lidhjes së universitetit me sektorin privat dhe komunitetin. Kontributi i administratës, theksoi rektori Krasniqi, është vendimtar për zbatimin e vizionit dhe misionit të ri institucional, i cili synon funksionim të qëndrueshëm, transparent dhe në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë
U theksua se suksesit të këtyre objektivave strategjike i paraprin një administratë qendrore dinamike, e harmonizuar dhe e aftë të përballojë kërkesat e zhvillimit të shpejtë institucional. Bashkëpunimi i ngushtë midis administratës dhe njësive akademike do të jetë thelbësor për realizimin e vizionit të UHZ-së për një universitet modern, inovativ, të hapur dhe plotësisht të orientuar drejt standardeve evropiane.



