Nëse i hedhim një vështrim historisë, është e qartë se shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të Ballkanit, të cilët kanë qenë gjithmonë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme që kanë ndodhur në këtë hapësirë gjeografike. Për shkak të rrethanave të ndryshme historike dhe politike, ata shpeshherë janë detyruar të largohen nga vendlindja e tyre. Por, pavarësisht vendit ku janë vendosur, shqiptarët asnjëherë nuk e kanë harruar origjinën dhe lidhjen shpirtërore me atdheun.
Në kuadër të promovimit që po i bën Universiteti “Haxhi Zeka” pasurisë kulturore, artistike dhe vendeve me rëndësi historike të rajonit të Dukagjinit, një vend të veçantë zë figura madhore e Mehmet Akif Ersoyt, personalitet i famshëm që la gjurmë të pashlyeshme në historinë, kulturën dhe letërsinë e Turqisë, por me rrënjë të thella në vendin tonë.
I lindur në Stamboll në vitin 1873, Mehmet Akif ishte bir i Tahir Efendiut nga Peja, dhe që nga fëmijëria e deri në fund të jetës ruajti me krenari lidhjen shpirtërore me vendin e prejardhjes. Ky personalitet i shquar ishte një ndër shumë shqiptarët që, ndonëse jetuan dhe kontribuuan në shtete të tjera, nuk e harruan kurrë identitetin e tyre. Përkundrazi, ai e përqafoi atë me krenari dhe e shprehu qartë edhe në veprën e tij letrare.
Në njërën nga poezitë më të ndjera, “Vefasız Kosova”, Mehmet Akif shkruan me zemër të lënduar për gjendjen e atdheut të tij të origjinës dhe pohon pa mëdyshje identitetin e vet shqiptar:
“Dëgjojeni këtë prej meje, që vërtetë, jam shqiptar Gjë tjetër s’mund të them Ja, atdheu im është rrënuar!”
Përveçse autor i himnit kombëtar të Turqisë, Mehmet Akif ishte edhe një poet i jashtëzakonshëm, teolog, pedagog dhe vizionar. Përmes veprës së tij ai ngriti zërin për drejtësinë, lirinë, besimin dhe vetëdijen kombëtare. Ai ishte një ndër zërat më të fuqishëm të kohës që u bë simbol i moralit dhe qëndresës shpirtërore.
Universiteti “Haxhi Zeka”, si institucion që synon të ruajë dhe promovojë vlerat historike dhe kulturore të rajonit, e konsideron të domosdoshme rikujtimin e figurave të tilla që i japin identitet dhe thellësi shpirtërore Pejës dhe më gjerë.