Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Ceremonia e diplomimit 2024 në Universitetin “Haxhi Zeka” – Një moment kulmor i jetës akademike

Ceremonia e diplomimit në Universitetin “Haxhi Zeka” shënoi një nga momentet më të rëndësishme të vitit akademik, duke kurorëzuar përkushtimin dhe punën shumëvjeçare të studentëve, stafit akademik dhe atij administrativ. Kjo ngjarje solemne ishte rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Komunën e Pejës dhe u zhvillua një ditë përpara përvjetorit të çlirimit të qytetit, duke marrë kështu edhe një karakter simbolik dhe festues.

Për herë të parë, ceremonia e diplomimit u përfshi në agjendën zyrtare të Komunës së Pejës dhe nga ky vit do të jetë një aktivitet i përbashkët tradicional, që reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkushtimin ndaj arsimit të lartë.

Pjesëmarrja ishte mbresëlënëse: përveç studentëve dhe stafit të Universitetit, të pranishëm ishin prindër, të afërm, qytetarë nga Peja dhe më gjerë, duke e kthyer këtë ceremoni në një festë të përbashkët të komunitetit. Një risi e këtij viti ishte pjesëmarrja e KFOR-it Italian, duke reflektuar marrëdhëniet gjithnjë në zgjerim dhe fillimin e bashkëpunimeve konkrete. Performanca e ansamblit muzikor “La Fanfara” shtoi hijeshi dhe emocione në këtë ngjarje të veçantë.

Fjalimet e mbajtura nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, sollën mesazhe frymëzuese dhe motivuese për të diplomuarit. Të pranishëm me fjalimet e tyre ishin edhe studentët ekselentë Kreshnik Kabashi dhe Sanela Gusinjac, të cilët ndanë përvojat e tyre akademike dhe vizionin për të ardhmen.

Momentet më emocionuese të ceremonisë u kurorëzuan me dorëzimin e diplomave për studentët e të gjitha programeve studimore, një akt simbolik që shënon përfundimin e suksesshëm të një etape të rëndësishme në jetën akademike dhe fillimin e një kapitulli të ri profesional.

Ceremonia e diplomimit në Universitetin “Haxhi Zeka” mbetet një ngjarje me peshë të madhe emocionale dhe simbolike – një përvojë e paharrueshme që reflekton vlerat e dijes, përkushtimin institucional dhe besimin në të ardhmen e ndritur të të rinjve tanë.

Shko në krye