Universiteti “Haxhi Zeka” ka publikuar raportin e tryezës së diskutimit “Identifikimi i nevojave për fuqizimin e komponentes së menaxhimit hotelier”, i cili përmbledh zhvillimin e aktivitetit, gjetjet kryesore të hulumtimit empirik, diskutimet e panelistëve dhe rekomandimet për avancimin e arsimit të lartë në fushën e menaxhimit hotelier. Raporti dokumenton dialogun ndërmjet universitetit, institucioneve publike, industrisë hoteliere dhe organizatave profesionale, me fokus në harmonizimin e programeve studimore me nevojat reale të tregut të punës dhe fuqizimin e bashkëpunimit universitet–industri.
Aktiviteti, i organizuar nga Fakulteti i Menaxhimit të Turizmit, Hotelerisë dhe Mjedisit i Universitetit “Haxhi Zeka”, mblodhi përfaqësues të institucioneve, komunitetit akademik, sektorit hotelier, organizatave profesionale dhe biznesit, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe formulimin e rekomandimeve konkrete për zhvillimin e kompetencave profesionale, përmirësimin e praktikës së studentëve dhe rritjen e cilësisë së programeve studimore në përputhje me zhvillimet e industrisë hoteliere.
