Kapërce te përmbajtja Kapërce te shiriti anësor Kapërce te fundi i faqes

Pjesëmarrja në EAIE 2026 në Glasgow konkretizohet me marrëveshje të reja bashkëpunimi për UHZ-në

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë e konkretizoi pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare EAIE 2026 në Glasgow me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin Ankara Yıldırım Beyazıt dhe Universitetin Tokat Gaziosmanpaşa nga Turqia. Këto marrëveshje zgjerojnë rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare të UHZ-së dhe krijojnë mundësi të reja për shkëmbime akademike, kërkime shkencore dhe aktivitete të përbashkëta.

Në konferencë, UHZ-ja u përfaqësua nga Prof. ass. dr. Emine Abdyli Pozhari, kryesuese e Këshillit Drejtues; Prof. asoc. dr. Mersiha Kacamakovic, anëtare e Këshillit Drejtues; dhe Prof. ass. dr. Alma Shehu Lokaj, prorektore për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore. Pjesëmarrja e delegacionit shërbeu si mundësi për zhvillimin e takimeve me partnerë ndërkombëtarë dhe përcaktimin e fushave konkrete të bashkëpunimit.

Me Universitetin Ankara Yıldırım Beyazıt u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit, i cili parashikon shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, bashkëudhëheqjen e studentëve të nivelit master, shkëmbimin e informacionit dhe publikimeve akademike, si dhe organizimin e programeve të përbashkëta kërkimore dhe konferencave shkencore. Në emër të UHZ-së, memorandumi u nënshkrua nga kryesuesja e Këshillit Drejtues, Prof. ass. dr. Emine Abdyli Pozhari.

Bashkëpunimi me këtë universitet u plotësua edhe me marrëveshjen ndërinstitucionale në kuadër të programit Erasmus+, të nënshkruar për UHZ-në nga prorektorja Alma Shehu Lokaj. Marrëveshja përcakton kuadrin e bashkëpunimit për mobilitetin e studentëve dhe stafit, duke krijuar bazë për përvoja të reja studimore, mësimore dhe profesionale në një mjedis ndërkombëtar.

Ndërkaq, me Universitetin Tokat Gaziosmanpaşa u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit, i cili përfshin bashkëpunimin shkencor, arsimor dhe kulturor. Protokolli synon zhvillimin e kërkimeve të përbashkëta, shkëmbimin e stafit akademik, hulumtuesve dhe ekspertëve, transferimin e njohurive dhe përvojave, si dhe publikimin dhe shkëmbimin e rezultateve shkencore. Në emër të UHZ-së, ky protokoll u nënshkrua nga Prof. ass. dr. Emine Abdyli Pozhari.

Këto marrëveshje përbëjnë rezultat konkret të angazhimit të delegacionit të UHZ-së në Glasgow dhe një hap të mëtejshëm drejt ndërkombëtarizimit të universitetit. Përmes tyre, UHZ-ja zgjeron mundësitë për studentët dhe stafin, forcon bashkëpunimin kërkimor dhe mbështet përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore.

Shko në krye