Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” – Tempulli i tingujve që formon artistë e shpirtin e shoqërisë
Nga. Prof.dr. Armand Krasniqi Rektor i UHZ
Në historinë akademike të pasluftës në Kosovë, rrallë mund të gjenden institucione që kanë arritur të ndërtojnë me përkushtim një profil kaq të veçantë e të gjithanshëm si Fakulteti i Arteve – Dega e Muzikës në kuadër të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Që nga themelimi i saj në vitin 2012, kjo degë është bërë një ndër pikat më të ndritshme të kulturës akademike, artistike dhe shoqërore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e kuadrove të reja muzikore dhe në pasurimin shpirtëror të vetë shoqërisë sonë.
Në thelb të misionit të këtij fakulteti qëndron jo vetëm përgatitja profesionale dhe artistike e studentëve në profile të ndryshme si pedagogjia muzikore, interpretimi vokal apo instrumental, por edhe përçimi i vlerave të larta estetike dhe njerëzore. Për më shumë se një dekadë, me përkushtim e dashuri të thellë për artin, janë diplomuar dhjetëra solo-këngëtarë, instrumentistë dhe mësimdhënës të muzikës, të cilët sot janë krenari në institucionet e arsimit dhe kulturës brenda e jashtë vendit.
Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa kontributin e pedagogëve të jashtëzakonshëm, që me profesionalizëm dhe përkushtim janë bërë udhërrëfyes të rinisë së talentuar. Emra si Hysen Nimani Mimoza, Besa Berberi, Pajaziti-Drançolli, Adelina Paloja, Alba Muqolli – Dehiri, Dardan Gjinolli, Dardane Nallbani-Batalli, Astrit Pallaska, Fatbardh Gashi, Syzana Jakupi dhe Arsim Kelmendi, janë vetëm disa prej gurthemeluesve të këtij tempulli arti.Mirënjohje e veçantë u shkon edhe pedagogëve të ftuar nga institucionet simotra – Universiteti i Prishtinës, i Tiranës, i Tetovës, etj. Emra të tillë si Zana Badivuku Basha, Sokol Saraçi, Bujar Sykja, Arben Basha, Xhevdet Sahatxhija, Dorian Cena, Gjulian Bytyqi, Adonsi Gjini, Behxhet Gaxhiqi, Zana Ramadani, Ersan Januzi, Valton Beqiri, Drinor Zymberi, Lejla Vula, i ndjeri Edmond Buharaja, etj., kanë dhënë një dimension ndërkombëtar dhe ndërinstitucional për këtë qendër të artit në Dukagjin.
Një nga kulmet e këtij rrugëtimi është padyshim Kori i Fakultetit të Arteve, i cili nën udhëheqjen e Prof. Hysen Nimanit, ka arritur të krijojë një profil unik artistik në vend dhe më gjerë. Pavarësisht dinamikës së vazhdueshme të përbërjes së tij – për shkak të diplomimeve dhe pranimeve të reja – ky kor ka dëshmuar vazhdimësi dhe nivel të lartë artistik, duke fituar çmime të rëndësishme ndërkombëtare dhe përfaqësuar denjësisht institucionin dhe vendin.
Një tjetër dëshmi e nivelit të lartë të këtij institucioni është edhe suksesi i pedagogëve në skenën operistike. Një shembull domethënës është Prof. Adelina Paloja, e cila është vlerësuar lartë për interpretimin e saj brilant në rolin e Pafikës në Operën “Goca e Kaçanikut”, duke dëshmuar se talenti dhe përkushtimi që ushqehet në këtë fakultet ka potencial për të arritur kulmet e artit skenik.
Veçantia e Fakultetit të Arteve nuk ndalet vetëm në arritjet individuale. Çdo vit, ky institucion organizon aktivitetin madhështor të njohur si “Java Artistike Studentore”, e cila është kthyer tashmë në një traditë të lavdishme të përmbylljes së vitit akademik përmes ekspozimit të talentit, përkushtimit dhe rezultateve të studentëve dhe pedagogëve. Kjo javë artistike është një pasqyrë e gjallë e shpirtit krijues dhe bashkëpunues që mbizotëron në këtë mjedis arsimor.Andaj, Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” nuk është vetëm një strukturë akademike – po ai është një hapësirë e shpirtit krijues, një laborator i talentit, një urë ndërmjet traditës dhe modernitetit, dhe një tempull i mirësisë përmes tingujve.
Në emër të komunitetit universitar dhe të gjithë atyre që besojnë se arti është fryma e një kombi, shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë ata që me punë, pasion dhe profesionalizëm kanë ndërtuar, zhvilluar dhe forcuar këtë fakultet. Rruga e tij është tashmë histori suksesi. Por e ardhmja që ai ndërton, është më shumë se art – është shpresë për një shoqëri më të bukur, më të ndjeshme dhe më të arsimuar.